Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi, gjatë një takimi dje në Athinë me homologun e tij grek Athanasios Plevris, u dakorduan të nënshkruajnë së shpejti një marrëveshje bashkëpunimi në sistemin e shëndetësisë ndërmjet dy vendeve.
Latifi me këtë rast shprehu falënderimin e tij për mbështetjen e Greqisë për integrimin e Kosovës në mekanizmat rajonalë dhe ndërkombëtarë, si dhe avancimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve.
Ai ka theksuar rëndësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Greqia dhe katër shtetet e tjera anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë.
Ndërsa, ministri Plevris shprehu gatishmërinë e tij për bashkëpunim dhe shkëmbimin reciprok të përvojave në shëndetësi.
Ndryshe, kjo është vizita e parë e një ministri të Shëndetësisë së Kosovës që takon zyrtarisht ministrin e Shëndetësisë së Greqisë.