Pirja e çajit potencialisht çon në vdekshmëri më të ulët, tregojnë hulumtimet.
Krahasuar me ata që nuk pinë çaj, ata që konsumojnë një deri në dy filxhanë çdo ditë kanë midis 9 dhe 13 për qind vdekshmëri më të ulët, sipas shkencëtarëve.
Hulumtimi i tyre, i botuar në revistën “Annals of Internal Medicine”, tregon se rezultatet mbeten të njëjta nëse personi pi kafe, shton qumësht ose sheqer në çajin e tij, pavarësisht nga temperatura dhe aftësia gjenetike e metabolizmit për të tretur kafeinën.
Studiuesit nga Instituti Kombëtar Britanik i Shëndetit (NIH) përdorën të dhëna për gjysmë milioni burra dhe gra midis moshës 40 dhe 69-vjeç, 85 për qind e të cilëve pinë çaj çdo ditë. Madje 89 për qind e tyre pinë çaj të zi, më i popullarizuari në Britaninë e Madhe.
Fernando Rodriguez Artalejo, një profesor i mjekësisë parandaluese dhe ekspert i shëndetit publik pranë Universitetit të Madridit, e përshkroi kërkimin si një “përparim të rëndësishëm në këtë fushë”.
Ai theksoi se hulumtimi tregon një ulje të moderuar të vdekshmërisë tek ata që konsumojnë çaj, veçanërisht nëse vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare.
Megjithatë, ai paralajmëroi se nuk mund të thuhet me siguri 100 për qind se çaji është arsyeja e vetme për zvogëlimin e vdekshmërisë, pasi nuk mund të përjashtohet që faktorë të tjerë shëndetësorë që lidhen me konsumimin e çajit janë përgjegjës për këtë.
Një pyetje tjetër që mbetet pa përgjigje është nëse njerëzit që nuk pinë çaj duhet të fillojnë ta bëjnë këtë për të përmirësuar shëndetin e tyre, siç kërkon hulumtimi i ri, thotë Artalejo.