UBT News

​Konjufca: Rastet e dhunës në familje nuk kanë pësuar rënie domethënese

Kuvendi i Kosovës ishte nikoqir i seminarit të Rrjetit të Grave të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë. Aty, kryetari Glauk Konjufca ka thënë se përkundër masave ligjore dhe fushatave për ngritje të vetëdijes, rastet e dhunës në familje nuk kanë pësuar rënie domethënëse. Sipas tij, nevojitet më shumë përpjekje për të shënuar progres.

Në seminarin që për temë kishte promovimin e një parlamenti me ndjeshmëri gjinore, Konjufca ka thënë se Kosova po merr masa të vazhdueshme për të luftuar pabarazinë.

“Pa barazi gjinore nuk ka barazi njerëzore. Barazia njerëzore është abstrakte e bile edhe subversive nëse nuk e merr formën praktike e konkrete të barazisë gjinore. Aspekti bazik i qytetërimit është barazia e grave me burrat. Kosova po bën veprime të shumta e po merr masa të vazhdueshme për ta luftuar pabarazinë”, ka thënë ai.

Ai ka përmendur miratimin e Konventës së Stambollit në Kuvendin e Kosovës, si dhe miratimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj grave.

“Përkundër të gjitha këtyre masave ligjore dhe institucionale, edhe plot fushatave të tjera vetëdijësuese, progresi është shumë i ngadalshëm, kurse rastet e dhunës në familje nuk kanë pësuar ndonjë rënie domethënëse. Prandaj nevojitet edhe më shumë përpjekje, edhe më shumë bashkim i forcave për t’i dalë në krye kësaj detyre”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se çdo veprim institucional, i cili rrit pjesëmarrjen e grave në jetën publike, është i domosdoshëm.

Exit mobile version