Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur sot në takim ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier.
Me këtë rast, kryetari Konjufca i ka uruar mirëseardhje ambasadorit Hovenier dhe i ka dëshiruar suksese në detyrën e re.
Sipas komunikatës së dërguar nga Kuvendi i Kosovës, thuhet se Konjufca “vlerësoi lart miqësinë e palëkundur dhe partneritetin shembullor me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vënë në pah se e ardhmja e Republikës së Kosovës është në BE, NATO dhe organizatat e tjera ndërkombëtare”.
Kryekuvendari thuhet se e falënderoi ambasadorin Hovenier për përkrahjen e vazhdueshme dhe mbështetjen e gjithanshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës, duke shprehur mirënjohje edhe për dhurimin e mbi gjysmë milioni të vaksinave Pfizer kundër koronavirusit.
“Në takimin e përzemërt e tejet miqësor, kryetari Konjufca dhe ambasadori Hovenier shprehën përkushtimin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, bashkërendimin e objektivave dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona”, përfundon komunikata.