Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se Kosova nuk është shtet që ka pretendime territoriale, por ndjehet e kërcënuar nga pretendime të tilla prej Serbisë. Ai ka thënë se nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në tokën evropiane derisa Rusia nuk heq dorë nga Ukraina dhe Serbia nga Kosova. Ai ka folur para 311 rekrutëve që janë betuar për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj bëri të ditur se më 28 nëntor hapet konkursi për pranimin e mbi 600 ushtarëve të rinj.
Kreu i Kuvendit ka thënë se liria e Kosovës i ka rrënjët në luftën e lavdishme të UÇK-së.
“Ne nuk jemi shtet që kemi pretendime territoriale. Ne jemi republikë demokratike. Por ne ndihemi të kërcënuar nga pretendimet e Serbisë mbi shtetin tonë. Zonja e zotërinj, paqja në botë sot po rrezikohet seriozisht nga agresioni i paprovokuar ushtarak i Federatës Ruse mbi Ukrainën. Ne jemi rreshtuar fuqishëm dhe pa asnjë dilemë përkrah Ukrainës dhe luftës së saj të drejtë kundër okupimit rus. Nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në tokën evropiane pa hequr dorë Rusia nga Ukraina dhe pa hequr dorë Serbia nga Kosova”, ka thënë kryetari i Kuvendit.
Konjufca ka thënë se orientimi i Kosovës është i qartë në synimin e saj për anëtarësim në NATO. Ai ka theksuar se shteti i Kosovës është i barabartë për të gjithë qytetarët pa dallim etnie, feje apo përkatësive të tjera.
“Për ta mbrojtur lirinë e shtetit tonë e kemi FSK-në, e cila po ndërtohet sipas principeve të një ushtrie moderne e profesionale. Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm si popull se gjithçka që arritëm, e bëmë së bashku me miqtë tanë të çmuar, ShBA-të dhe shtetet tjera të botës demokratike evropiane dhe perëndimore. Prandaj orientimi ynë është i qartë. Ne duam të jemi pjesë e Aleancës Ushtarake të Atlantikut Verior, aleancës më të fuqishme në botë e cila përfshin ushtritë e vendeve demokratike”, ka thënë Konjufca.
Në ceremoninë e betimit të rekrutëve, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka bërë të ditur se më 28 nëntor do të hapet konkursi për pranimin e mbi 600 ushtarëve të rinj.
Ndërsa rekrutëve ai u ka folur për luftën dhe sakrificën e ushtarëve të UÇK-së në krye me komandantin legjendar, Adem Jasharin, duke u thënë se nuk mund të ecin përpara nëse nuk e nderojnë të kaluarën.
“Konkursin e radhës për pranimin e mbi 600 ushtarëve të rinj do të hapim me datën 28 nëntor. Kjo është e nevojshme, kjo është e domosdoshme për të zhvilluar më tutje ushtrinë tonë dhe për të forcuar kapacitetet tona për mbrojtje të vendit…Atdheu është pasuria jonë me e madhe, për të jetojmë dhe për të vdesim, Ushtarë të dashur, gjatë shërbimit tuaj brenda dhe jashtë vendit, ecni gjithmonë me kokën lartë, sepse ushtria jonë nuk ka luftuar kurr për të pushtuar territore tw huaja, por gjithnjë ka mbrojtur me shpirt vendin e vet. Dijeni mirë se në venat tuaja, keni ADN-në e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, keni ADN e komandantit legjendar Adem Jashari, ushtria e Adem Jasharit nuk dorëzohet, është e pathyeshme dhe e pamposhtur”, ka thënë Mehaj.
E për ata që dhanë betimin ky është një prej momenteve më të mira që kanë përjetuar ndonjëherë.
“Ndjenjë e mirë, është privilegj me pas këtë ndjenjë, dhe u them të gjithë të rinjve të aplikojnë në FSK… Nder krenari për vendin, gjithmonë urdhrat e presidentit do t’i zbatojmë”, ka thënë rekrut Petrit Neziri.
Betimi i rekrutëve u bë në praninë e familjarëve të tyre të cilët e përcollën atë me emocione të mëdha.
“Po ndjehem shumë mirë, ma mirë nuk ka si, ma i fortë nuk kam qenë asnjëherë, 78-vjeçar jam, por më duket sikur me i pas 30 vjeç, pasi i kemi këta ushtarë”, ka thënë Shefqet Krasniqi, i cili po ndiqte betimin e nipit të tij.
Ceremonia e betimit të rekrutëve u zhvillua në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë dhje kjo është gjenerata e tretë e stërvitjes ushtarake bazë për vitin 2022. Aty u tha se ky është grupi më i madh i certifikuar ndonjëherë në ushtrinë e Kosovës.