Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca ka kërkuar sot nga institucionet e vendet të bëjnë një verifikim të kujdesshëm të marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të procesit të dialogut me Serbinë.
Në tryezën e KDI-së me kryetarët e komisioneve parlamentare mbi rolin mbikëqyrës të dialogut Kosovë – Serbi, Konjufca tha se Serbia po përdorë standarde të dyfishta, duke mos implementuar marrëveshjet sikur ajo e diplomave, derisa kërkon themelim të asociacionit të cilën Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar.
“T’i thërrasim edhe një herë mendjes që institucionet e Kosovës, nuk janë këtu thjesht për ta rivlerësuar sa janë të domosdoshme implementimi i marrëveshjeve. Po ashtu edhe për të argumentuar që ato që quhen ngecje, nuk duhet të shihen si të tilla, por si një lloj verifikimi edhe të njëhershëm me shumë kujdes i asaj që është arritur, i asaj që është nënshkruar me disa shpjegime të atëhershme që këto do ta sjellin integrimin e shpejtë në integrim evropian”, tha Konjufca.
Ndërsa pala serbe këmbëngulë në formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, Konjufca ka kujtuar se marrëveshja për asociacionin i shkelë fondamentet Kushtetuese të Kosovës.
“Serbia dëshiron të përfitojë diçka nga dialogu” tha ai.
“Ajo çfarë Serbia po konsideron si një pozicionim strategjik, se ne do të na kërkoj ato që janë nënshkruar, e ne faktikisht përmes institucioneve tona dhe rendit kushtetuese i kemi hedhur poshtë sepse vërtet marrëveshja për ‘Zajednicën’ ka qenë e tillë, i ka shkelë fundamentet kushtetuese të Kosovës”, tha Konjufca.
Ndërsa, kryetari i komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi tha se institucionet e vendit nuk do të pranojnë marrëveshje që dëmtojnë interesin, pavarësisht çmimit të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar.
Ndërsa Jeta Krasniqi nga KDI ka kërkuar të ketë më tepër transparencë sa i përket ecurisë së procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Synimi jonë ka qenë transparenca, pasi ky proces nuk shquhet për transparencë të madhe duke e ditur se është një proces konfidencial. Ka ende marrëveshje që nuk janë plotësisht të zbatuara, siç është plani për marrëveshjen e drejtësisë, i cili nuk është ende publik”, tha Krasniqi.
Gjatë ditës së sotme ka rifilluar dialogu Kosovë-Serbi, ku kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar takim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.