UBT News

​Konjufca kërkon pjesëmarrje më të lartë të ministrave në seanca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka mbështetur vërejtjen e opozitës për mungesën e ministrave në seanca, sidomos tek pjesa e pyetjeve parlamentare.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se nuk është hera e parë që mungojnë ministrave e dikastereve përkatëse në seanca. Ai tha se karshi tyre duhet të adresohet një vërejtje publike.

“Kërkohet që ministrat e linjes kur kemi pyetje parlamentare me qenë prezencë nuk është hera e parë që kjo po ndodh, nuk është hera e parë që ministrat nuk iu përgjigjen pyetjeve është me rëndësi me bë një vërejtje publike që të jenë prezent për shkak se pyetjet parlamentare e kanë edhe kontekstin kohor edhe kontekstin e pyetjes”, tha ai.

E me këtë kritikë u pajtua edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili tha se prania e ministrave në seanca duhet të jetë më e lartë sidomos te pjesa e pyetjeve parlamentare.

“I bashkohem vërejtjes tuaj zotëri Tahiri, prania e ministrave duhet të jetë më e lartë në pyetje sepse nëse bëhet një statistikë nga përvoja mund të konkludoj se pjesëmarrja nuk është gjithë aq e kënaqshme duhet të jetë më e lartë. Ministrat duhet ta kenë parasysh se shumica e seancave mbi 85% në gati 90% të seancave mbahen ditën e enjte dhe ditën e enjte mundësisht mos me caktua shumë aktivitete”, tha ai.

Exit mobile version