Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca u ka dhënë të drejtë partive opozitare për formimin e komisionit hetimor për energjinë. Këtë e ka arsyetuar, me deklarimin që kishte bërë në kohën sa ishte shef i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai tha se e kishte quajtur gabim mohimin e të drejtës për formim të komisionit hetimor.
“Po dua t’i jap të drejtë opozitës, sepse atëherë kam qenë kryetar i Grupit Parlamentar kur na është mohuar kjo çështje dhe kam dalë e kam thënë që ajo është gabim. Kështu që për të qenë në konsistencë edhe me këtë interpretim që kam pasur atëherë, mendoj që duhet ta hapim fazën e propozimit të emrave për këtë komision hetimor parlamentar”, ka deklaruar ai.
Partia Demokratike e Kosovës ka mbledhur 40 nënshkrimet për formimin e këtij Komisioni Hetimor Parlamentar për Krizën Energjetike.