Ushtruesi i detyrës së presidentit, Glauk Konjufca ka pritur sot në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, i cili ka potencuar rëndësinë e zgjedhjes së presidentit të vendit, duke përmbyllur kështu konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Kosnett uroi Konjufcën për detyrat e reja si ushtrues detyre i presidentit dhe kryetar i Kuvendit, duke i dëshiruar sukses dhe duke konfirmuar përkushtimin e tij dhe të ShBA-së për të bashkëpunuar me institucionet e Republikës së Kosovës.
Nga ana tjetër, u.d. presidenti Konjufca ka falënderuar ambasadorin Kosnett dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën dhe partneritetin e vazhdueshëm me Republikën e Kosovës.
“Konjufca vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit dhe thellimit edhe të mëtutjeshëm të raporteve ndërmjet të të dy shteteve, duke konfirmuar përkushtimin e tij për një gjë të tillë. U.d. Presidenti Konjufca poashtu ka potencuar rëndësinë e stabilitetit institucional dhe konstituimit sa më të shpejtë të të gjitha institucioneve, si parakusht për zhvillim të proceseve me rëndësi për vendin”, thuhet në njoftim./UBTNews