Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka mbajtur dëgjim publik lidhur me Projektligjin për tregti me jashtë, ku përfaqësues të komunitetit të biznesit kërkuan që në kuadër të këtij projektligji të përcaktohen edhe masa kundër importit të subvencionuar në mënyrë që të mbrohen prodhuesit vendorë.
Qëndresa Ibrahimi, koordinatore në Odën e Afarizmit të Kosovës (OAK), tha se duhet të vendosen shpenzimet kompensuese në rast se evidentohet se malli që importohet rrezikon t’i shkaktojë dëm prodhimit vendor. Ajo tha se me Ligjin për tregti me jashtme duhet të përcaktohen masat kundër importit të subvencionuar dhe se në kuadër të këtij ligji duhet të inkorporohet edhe Ligji për masat e mbrojtjes në importe.
“OAK rekomandon që Ligji për masat e mbrojtjes në importe të inkorporohet në Projektligjin për tregti me jashtë, kjo qëndron në faktin që teksa është ligj, i cili do të shqyrtohet edhe nga investitorët e huaj potencial, atëherë të njëjtit mund të mos kenë njohuri rreth legjislacionit në fuqi në vendin tonë, dhe është shumë e nevojshme që të gjitha çështjet që e rregullojnë importin dhe eksportin, të jenë të rregulluara me një ligj. Gjithashtu, një rekomandim tjetër i Odës është që me këtë ligj të përcaktohen edhe masa kundër importit të subvencionuar, ne e dimë që shumë vende subvencionojnë produktet e tyre, të cilat pastaj në vendin tonë dalin me çmime shumë më konkurruese”, tha ajo.
Lidhur me këtë, Zef Dedaj nga Ministria e Industrisë Ndëarmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), tha se ligji parasheh edhe masën mbrojtëse në importe edhe atë për importin e subvencionuar. Derisa tha se vazhdojnë të aplikojnë Ligjin për masat anti-dumping dhe masat kundërbalancuese në importe, në rastet kur çmimet dumping janë më të lira sesa çmimet në vendin e origjinës.
“Neni 32 i po këtij ligji, i parasheh masat mbrojtëse në importe, ku njëkohësisht kemi edhe ligjin ndaras për masat mbrojtëse, i cili është aplikuar dhe po vazhdon të aplikohet. Gjithsesi, neni 32 na fuqizon edhe më shumë, ku thotë se ‘nëse kemi sasi të mëdha të importit, të cilat mund ta dëmtojnë prodhimin në formë direkte apo indirekte, ne e kemi dritën e gjelbër për të vendosur’, pra e kemi nenin 32. Ndërsa sa i përket masave të subvencionuara, e kemi nenin 28, është Ligji për masat anti-dumping dhe masat kundërbalancuese në importe. Në ato raste, vazhdojmë ta aplikojmë kur kemi çmime dumping më të lira sesa në tregun e origjinës… Ndërsa neni 6 na e jep dritën e gjelbër për të gjitha aplikimet e mundshme ekonomike”, tha ai.
Ai tha se Kosova ka kapacitete për t’i plotësuar kërkesat ndërkombëtare dhe mund të konkurrojë me kapacitet prodhuese në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Komuniteti i biznesit kritika pati për nenin 23 të projektligjit, gjegjësisht pikën 3.1 që ka të bëjë me marrjen e lejes të importit dhe eksportit, derisa u kërkua që të saktësohet ky nen, në mënyrë që të evitohen dykuptimësitë.
Andrra Nurkollari nga Oda Ekonomike Amerikane dha arsyet e kundërshtimit të këtij neni.
“Oda ka kundërshtim vetëm në nenin 23, pra me gjerësisht në pikën 3.1, në lidhje me marrjen e lejes të importit dhe eksportit. OAK e konsideron në kundërshtim me parimet e ekonomisë së tregut dhe si procedurë e tillë, mendon se pengon qarkullimin e mallrave. Madje, mendon se është në kundërshtim me dispozitat tjera të të njëjtit ligj, ku thuhet që ‘s’do të ketë kufizim e as pengesë në importimin e mallrave’”, tha Nurkollari.
Se duhet të bëhen disa ndryshime tek neni 23 i projektligjit për tregti me jashtë, e tha edhe Emrush Ujkani nga Këshilli i Investitorëve Evropian.
“Ato që kemi disa komente, do t’i ndajmë me administratën e Kuvendit. Në nenin 23, nuk është që jemi agresiv si Oda Ekonomike Amerikane, por mendoj që mund të rregullohen disa gjëra në aspektin administrativ më tepër, kur flasim për lejen konkrete”, tha Ujkani.
Edhe deputeti Pal Lekaj tha se nga praktikat e mëparshme, është vërejtur se ka pasur keqpërdorime, prandaj, siç tha ai, neni 23 duhet të saktësohet në mënyrë që të evitohen dykuptimsitë.
“Duhet të jemi të vëmendshëm dhe t’i saktësojmë nenet që të mos krijojmë hapësira për të dëshiruar apo për të mos i trajtuar ashtu siç i trajton ligji. Këtu, po nisem me nenin 23 që pati vërejtje nga Oda Amerikane, që mendoj se kanë të drejtë, edhe pse janë ligje të ndara që i përkufizojnë dy fusha. Mirëpo, nga praktikat që i kemi, ka keqpërdorues dhe pajtoj plotësisht që ta saktësojmë nenin 23, pasi ka dykuptimësi”, tha Lekaj.
Përkrahje për Projektligjin për Tregti me Jashtë dhanë Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Gjermane e Kosovës.