UBT News

​Komuna e Prishtinës: Rrugët të kalueshme, shoferët mos të na fajësojnë vetëm neve

Komuna e Prishtinës thotë se të gjitha rrugët në qytet dhe periferi janë të qarkullueshme. Për këtë, sipas tyre, po kujdesen 11 kompani të kontraktuara që në nëntor të vitit të kaluar, ku 7 prej tyre janë të angazhuar në rrugët e qytetit, ndërsa katër të tjera për rrugët periferike.

“Tani në momentin kur po deklarojmë, rrugët janë të qarkullueshme për trafik. Vlen të theksohet se puna e kompanive në terren gjatë tërë kohës është mbikëqyrë dhe është koordinuar nga zyrtarët e drejtorisë. Gjendja e rrugëve në përgjithësi është stabile dhe lehtë e qarkullueshme”, thuhet në komunikatën e komunës së Prishtinës.

Komuna thotë se kompanitë e kontraktuara kanë qenë në terren me 27 makineri përkatëse që kur janë shfaqur reshjet në orët e para të së hënës dhe kanë vazhduar edhe sot me pastrimin e rrugëve.

“Nga koha e fillimit të reshjeve të gjitha kompanitë i kemi pasur në teren me makinerinë e nevojshme. Po ashtu në mëngjesin e të hënës të gjitha rrugët i kemi pasur me të qarkullueshme. Mandej, dje ditë e hënë prapë kanë filluar reshjet e borës në orët e pasdites rreth orës 15:00, dhe kanë vazhduar deri në mes të natës. Kompanitë ashtu siç kanë qenë në punë gjatë ditës kanë vazhduar punën në teren pa ndërprerë, ku kanë qenë 27 automjete të borës të cilat largojnë borën dhe hedhin përzierjen e kripës dhe rërës”, vijon komunikata.

Megjithatë, komuna e Prishtinës kërkon nga drejtuesit e mjeteve të jenë të përgatitur për stinën e dimrit dhe mos ta bartin fajin vetëm tek ata për gjendjen e rrugëve.

“Dihet se gjatë dimrit ngasësit duhet të jenë të përgatitur me goma dimri e jo krejt fajin ta gjuajnë te organet, mbasi edhe ngasja e veturave duhet të bëhet në kushte dimri me kujdes të shtuar dhe të përgatitur”, thuhet në komunikatë.

Exit mobile version