Komiteti për vlerësimin dhe koordinimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19 do të mblidhet sot për të diskutuar lidhur me masat e vendosura për mbrojtjen nga koronavirusi.
Takimi i këtij komiteti do të mbahet nën kryesimin e ministrit të detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj. Komiteti pritet të mblidhet në ora 11:00 në objektin e Qeverisë së Kosovës.
“Nën kryesimin e Ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj, sot mbahet takimi i radhës i Komitetit për vlerësimin dhe koordinimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19. Takimi mbahet në ndërtesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, salla P-38, duke filluar nga ora 11:00”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Mirëpo gjatë së mërkurës, gastronomët në një konferencë për media kanë paralajmëruar një marsh-proteste në sheshin e Prishtinës për të kundërshtuar masat për mbyllje të bizneseve, për heqjen e dënimeve dhe subvencionimin e pagave si dhe qirave për shkak të pandemisë COVID-19.
Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi tha se rritja e numrit të infektuar me Covid-19 nuk është për fajin e gastronomisë, por për shkak të tubimeve zgjedhore dhe për këtë janë kundër shtrëngimit të masave.
Ndërkohë që në 24 orët e fundit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka raportuar për 568 raste të reja pozitive me COVID-19. Ndërsa raportohet për 4 raste të vdekjes.