Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ka votuar pro Projektligjit për Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se është vendosur që një institucion i tillë të jetë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit për shkak të ndjeshmërisë, por edhe mirëfunksionimit. Mbështetje për këtë projektligj u ofrua edhe nga opozita.
Sipas saj, ky Institut krahas dokumentimit dhe hulumtimit të krimeve të kryera gjatë luftës kryesisht në periudhën 1 janar 1998 – 20 qershor 2022.
Haxhiu tha se votimi i këtij projektligji paraqet përmbushjen e një prej objektivave më të rëndësishme të mandatit qeverisës, derisa ka ripërsëritur se për herë të parë një Institut i tillë po themelohet me ligj.
“Pas përmbylljes së dokumentimit të krimeve të luftës do të merret edhe me dokumentin e krimeve që ndërlidhet para dhe pas periudhës së luftës me qëllim të prezantimit sa më të qartë të pasojave dhe dëmeve të luftës… Ishte themeluar në atë kohë Instituti me një vendim dhe jo sikurse tani po adresohet tani me një projektligj dhe që nuk mundet se çfarëdo qeverie që vjen në të ardhmen ta ndryshojë sipas rrethanave dhe nevojave. Pra, hulumtimi dhe dokumentimi i krimeve të kryera gjatë luftës do të bëhet nga aspekte të ndryshme përfshirë aspektin historik, ushtarak, ekologjik, ekonomik, kulturor dhe të tjera duke siguruar të dhëna dhe dëshmi për t’i bërë të qasshme ato për publikun. Për mua si ministre e Drejtësisë është shqetësuese se si kanë kaluar pothuajse dy dekada të pasluftës në Kosovës dhe ende nuk kemi të dhëna zyrtare për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidit”, tha Haxhiu.
Haxhiu tha se krijimi i Institutit ndihmon edhe Prokurorinë Speciale për adresimin e krimeve të luftës, por edhe përgatitjet për padi kundër Serbisë për gjenocid.
“Konsideroj se ky institucion është i rëndësishëm edhe për dy aspekte të tjera së pari edhe si ndihmë e institucioneve të vendit kryesisht Prokurorisë Speciale për adresimin e krimeve të luftës, por së dyti siç jeni në dijeni në programin tonë qeverisës është edhe padia për gjenocid, mirëpo kjo është duke u adresuar nga Zyra e Kryeministrit, andaj mendoj se edhe në këto dy aspekte do të ndikojë puna që do të bëhet në hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovës”, tha ajo.
Driton Selmanaj nga LDK-ja, ndonëse shprehu mbështetjen për këtë projektligj, ai adresoi edhe disa çështje për fushë-veprimtarinë e këtij Instituti, por edhe kompetencat e tij ekzekutive, si dhe mënyrën e përzgjedhjes së drejtorit të kësaj agjencie.
“Pse po mendoni se si agjenci ekzekutive mund të jetë me efikase sesa një mekanizëm brenda MD-së a ka qenë problem statusi i këtij mekanizmi apo angazhimi konkret për t’i dhënë përgjigje dhe për të nxjerrë dokumente të caktuara të nevojshme për shtetin e Kosovës… A po i bie që po e rithemelojmë apo po e normojmë me ligj të veçantë diçka që ka qenë edhe në të kaluarën tash nëse e normojmë diçka që ekzistuar në të kaluarën nuk mund të themi se po e themelojmë… Sa i përket mënyrës së përzgjedhjes, drejtori emërohet nga Zyra e kryeministrit me mandat 5-vjeçar, por nuk janë përcaktuar procedurat e zgjedhjes dhe më pas i mbetet kryeministrit ta riemërojë nëse vlerëson se puna e tij është bërë mirë. Ne sikur përsëri po dalim kundër idesë që të mos ia lëmë secilës qeveri këtë çështje, prandaj e kemi rregulluar me ligj. Ky mandat nëse i lihet kryeministrit të emërojë njerëz të tillë në krye të kësaj agjencie, i bie sikur po i lihet një gjë e tillë secilës qeveri”, theksoi ai.
Për këto çështje të ngritura nga deputeti Selmanaj, e para e drejtësisë kosovare, Albulena Haxhiu tha se ideja e përzgjedhjes së drejtorit nga kryeministri ka synim që kryeministri ta merr përgjegjësinë edhe në rast të funksionimit apo jo të këtij Instituti.
“Ideja ka qenë te zgjedhja e drejtorit. Kryeministri e merr përgjegjësinë në rast të funksionimit të duhur të këtij Instituti dhe pasojat nëse Instituti nuk funksionin mirë. Duke qenë që është obligim i qeverisë, ne kemi dashur që personi përgjegjës do të jetë në krye të këtij institucioni të ndërlidhet me po ashtu me përgjegjësinë e qeverisë në kuptim të dështimit apo të suksesit në të ardhmen. Unë mendoj se është e rëndësishme që në këtë institucion të kenë vetëm persona të profilizuar… Arsyeja kryesore se pse ne kemi për mua do të ishte natyrisht shumë më mirë të jetë në MD, por ne duhet të gjejmë zgjidhjen më të mirë dhe si e fuqizojmë Zyrën e kryeministrit… Ka peshë më të madhe kur një institucion i tillë i ndjeshëm do të jetë në kuadër të Zyrës së kryeministrit, shumë më lehtë do të ketë mbështetje buxhetore dhe kapacitet njerëzore”, theksoi ajo.
Sa i takon periudhës së funksionimit të këtij Instituti, Haxhiu konsideron se Kosova çdo herë duhet të ketë këtë Institut ku do të dokumentonte krimet e luftës.
“Për bindjen time Instituti duhet të veprojë në vazhdimësi për faktin se nëse shohim mandatin që ka jam shumë e bindur se na duhen edhe disa vite derisa t’i hulumtojmë dhe dokumentojmë të gjitha krimet e luftës dhe periudhat që i përmenda. Pra, unë mendoj që Kosova çdo herë duhet të ketë Institutin ku do të dokumentohen krimet e luftës”, u shpreh ajo.
Përkrahje për Projektligjin për Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë ofroi edhe deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, i cili tha krijimin e këtij Instituti e konsideron më shumë si rithemelim.
“Ideja ka qenë rritja e nivelit dhe të dërgohet te Zyra e kryeministrit. Në raport me Ministrinë e Drejtësisë dëshiroj të mos keni institut, pasi që nuk po e shpjegon mënyrën e zgjedhjes, por thotë emërohet, e tash nëse zgjedhim emërues politik , nuk e dimë sa kemi arritur qëllimin e ligjit hulumtues, sepse ky ligj ka karakter hulumtues si Institut dhe jo karakter politik”, theksoi Beqa.
Adnan Rrustemi, kryetari i këtij Komisioni, u shpreh se krijimi i mekanizmit për dokumenton krimet e luftës ndonëse i vonuar, por është i domosdoshëm të themelohet sa më shpejt.
“Ky mekanizëm shtetëror i ka munguar vendit tonë, ndonëse është i vonuar në kohë, është i domosdoshëm që të themelohet sa më parë”, u shpreh Rrustemi.
Gjatë këtij muaji Qeveria e Kosovës e votoi Projektligjin për Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, i cili parashihet të funksionojë në kuadër të Zyrës së kryeministrit.