Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, me 6 vota pro i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).
Komisioni me iniciativë të deputetit të Vetëvendosje, Armend Muja ka rekomanduar shkarkimin e Selvete Grajqevci – Pllana kryesuese e Bordit, Gani Maliqi, Gani Kastrati dhe Rozeta Pushkolli Makoll anëtarë.
Ndërsa, një ditë më parë anëtari i pestë i Bordit të KPMM-së, Jahir Gashi ka dhënë dorëheqje.
Fillimisht kryetari i Komisionit parlamentar për Ekonomi, Ferat Shala, ka kërkuar nga anëtarët e këtij komisioni që të tërheqin kërkesën për shkarkimin e Bordit të KPMM-së.
Për shkarkimin e bordit të KPMM-së, kanë votuar deputetët, Mimoza Kusari – Lila, Jeta Statovci, Amend Muja, Gramos Agusholli, Fidan Jilta dhe Driton Hyseni.
Por, në votim nuk morën pjesë kryetari i Komisionit nga radhët e PDK-së, Ferat Shala dhe anëtari i Komisionit nga AAK, Pal Lekaj.
Gjatë shqyrtimit të kërkesës për shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), deputeti i Vetëvendosjes Armend Muja me ton të lartë ka qortuar kryesuesen e Bordit të KPMM-së, Selevete Grajqevci – Pllana për faljen, siç thotë ai, të rentës minerare në vlerë prej mbi 9 milionë euro kompanisë “Ferronikel”.