Deputetët e Komisionit hetimor parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike nuk kanë rënë dakord që hetimet të nisin nga vitet e fundit. Përkundër propozimit të mazhorancës që dëshmitë të ndahen në periudha 3-vjeçare dhe prioritet t’i jepet zhvillimeve të viteve të fundit, kjo u kundërshtua nga deputetët e opozitës. U vendos që intervistimi i dëshmitarëve nga ky komision të fillojë nga viti 2006 duke ftuar ministra, kryesues e anëtarë të bordeve, drejtorët të përgjithshëm etj.
Derisa deputetët e opozitës propozuan që intervistimi të nisë nga periudha e vitit 2006, pozita kërkonte që intervistimi i dëshmitarëve të fillojë nga viti 2017-2020.
Kryetari i këtij komisioni hetimor, Hajdar Beqa kërkoi që intervistimi të nis nga viti 2006.
“Ne kemi listën e dëshmitarëve për vitin 2006 dhe shkojmë nga niveli më i lartë prej ministrit më të lartit e thërrasim prej ministrit ose kemi nivel tjetër dhe shkojmë tek kryetarët e bordeve tek drejtorët e përgjithshëm dhe deri tek zyrtarët përkatës”, tha ai.
Kategorizim në faza kërkoi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, dhe si propozim i tij ishte që intervistimi i dëshmitarëve të nisë nga viti 2017-2020.
“Ne ishte dashur që t’i kategorizojmë në faza, të fillohet me fazën e parë me dëshmitarë të vitit 2017-2020, pastaj në fazën e dytë 2013-2016, në fazën e tretë 2010-2013 dhe pastaj fazën e katërt 2006-2009 në mënyrë që të krijohet një perspektivë e qartë e të gjitha vendimeve… 08’17 Sa i përket gjendjes që jemi duke kaluar tash është një periudhë tash 2017-2020 është ai momenti kur në KOST dhe ZRRE janë marr vendime të rëndësishme ne dëshirojmë t’ia paraqesim komisionit dhe publikut dhe kanë relevanc edhe tani, pastaj në fazën e dytë është periudha e post-privatizimit 2013-2016 dhe ndërlidhet me investimet kapitale të KEDS-it si vendim i dytë i rëndësishëm”, tha Muja.
Pas kësaj, kryesuesi i komisionit, Beqa tha se hetimet do t’i kryejnë për të gjitha periudhat, por më e rrugës është që intervistimi të nisë nga viti 2006 ashtu siç është përcaktuar edhe faza e hetimit.
“Kronologjia thotë të fillohet në fillim e të përfundojë në fund, kjo është kërkesë krejt teknike dhe nëse duam 2006-2009 me u ndal pak ndalemi pak nëse nuk kemi ndonjë propozim por nuk e dimë se ku ka me na dal situata ne do t’i kryejmë të gjitha hetimet si në 2006 si në 2022”, tha ai.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se me propozim të Lëvizjes Vetëvendosje për intervistim të dëshmitarëve nuk do të arrihet ndonjë rezultat.
“Hetimet duhet ta kenë një bazë edhe si legalist me nis prej mesit nëse keni një arsyetim të fortë, Armendi faktikisht nëse ka një argument të fortë prej 2017 e 10 vite t’i kalojë dhe 5 vite prapa me u kthye në një fazë pasi t’i kalojmë ato 10 vitet e tjera pak, mos po e humbim hapin e qëllimit tonë pozitiv. Kronologjikisht është më mirë nëse një vendim i 2009 ka arritur që të aprovohet në 2015, ‘16, ‘17 ose nëse një vendim qoftë për investime është ndërprerë në 2016 dhe në 2017 ka marr vendim tjetër po më duket se po hyjmë në diçka që nuk mund të nxjerrim ndonjë rezultat”, tha ai.
Edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj kundërshtoi propozimin e deputetëve të LVV-së, Armend Muja për intervistim në faza.
“Kërkesa juaj ka qenë që të hulumtohet nga 2006 deri në 2022 por tash një shtëpi kur fillon të ndërtohet nuk fillon prej kulmit ose muret, dhe ne duhet ta kuptojmë procesin si proces nëse se fillojmë prej 2006, prej fillimit të funksionimit e deri më lartë ne nuk do të arrijmë të prodhojmë asgjë”, theksoi Kadrijaj.
Insistues në kërkesën e tyre që intervistimi i dëshmitarëve të nisë në faza ishte edhe deputeti i LVV-së, Arbër Rexhaj i cili vazhdimisht kërkoi konsensus për propozimin e tyre.
“Ne nuk jemi duke kërkuar të heqim asnjë vit apo institucion aty ne thjesht kemi vendos prioritetet tona dhe kemi vendos si tematik dhe realisht mbi bazën e kësaj tematike ne po fillojmë intervistimin e kandidatëve. Nuk po kërkojmë të heqim asnjë vit por i kemi disa prioritete dhe meqenëse LVV është ajo që ka kërkuar themelimin e këtij komisioni natyrisht ne duhet t’i tregojmë prioritetet tona dhe duhet të jetë mirëkuptuese tek ju”, theksoi Rexhaj.
Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike në rend dite sot ka pasur edhe shqyrtimin e CV-ve për angazhim të ekspertëve, por kjo pikë u shtye për mbledhjen e radhës pasi buxheti për këtë komision hetimor nuk ka kaluar në Kuvend të Kosovës në mungesë të kuorumit.