Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka drejtuar një varg akuzash ndaj kryetares së Gjykatës Speciale në Hagë, Ekaterina Trandafilova, duke thënë se ajo ka ndërtuar raport klientelist me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, të ashtuquajturin Avokat i Popullit i DHS-ara dhe Avokatin e Popullit të Holandës për monitorimin e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria duke siguruar, në këtë mënyrë një mungesë të plotë të transparences dhe llogaridhënies.
Sipas KMDLNj-së, asnjëherë kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trandafilova nuk ka reaguar kundër shkeljes flagrante e parimit të prezumimit të pafajësisë nga kryeprokurori i ZPS –së që pa filluar ende procesi gjyqësor dhe pa një vendim të gjykatës përkatëse, disa herë, publikisht ka deklaruar se Hashim Thaçi dhe të tjerët do të dënohen me burg të përjetshëm andaj, me këtë diversion moral dhe juridik e ka arsyetuar vendimin për paraburgim.
“Kryetarja e Gjykatës Speciale në Hagë në mënyrë skajshmërisht të pandershme, moralisht dhe profesionalisht ka devijuar përgjegjësinë e Raportit të Dik Martit përkatësisht pjesës ku flitet për trafikim me qenie njerëzore dhe organe e që ka shërbyer si mjet kryesor presioni për formimin e kësaj Gjykate. KMDLNj –ë nuk është i kënaqur as me shërbimet shëndetësore që u ofrohen personave të privuar nga liria. KMDLNj ka kërkuar dhe kërkon nga institucionet e Kosovës që të kërkojnë një proces fer dhe të paanshëm që nuk kushtëzohet nga kërkesat e politikës ditore apo përkatësisë etnike. Kjo është detyrim i institucioneve e që në asnjë rrethanë nuk mund të konsiderohet si ndërhyrje në drejtësi”, thuhet në reagim.