UBT News

​KMDLNj thotë se përkundër problemeve shëndetësore, të burgosurit që vdiq sot nuk iu pezullua dënimi

Këshilli për Mbrojtjen e të drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj), ka thënë në një komunikatë për media se i burgosuri që vdiq sot në Spitalin e Pejës, që nga pranimi ka qenë i sëmurë nga tumori në kokë dhe me shumë komplikime shëndetësore.

KMDLNj thotë se përkundër kërkesave të stafit mjekësor për pezullim të dënimit apo edhe falje të dënimit nga Presidenti, për shkak të gjendjes shëndetësore të të burgosurit, asgjë nuk është ndërmarrë në këtë drejtim.

Lidhur me këtë, KMDLNj deklaron se do ta përkrahë çdo nismë për ndryshim të Ligjit që e mundëson këtë ndërprerje të dënimit për shkak të gjendjes shëndetësore apo të moshës së të burgosurve.

Sipas KMDLNj, i burgosuri tërë kohën është mbajtur në Stacionarin e burgut të Dubravës, por edhe kohë pas kohe ka qenë i shtrirë në spitale jashtë burgut. Në bazë të rekomandimeve të mjekëve të SB të Dubravës, të SP të Pejës dhe QKUK-së i ndjeri ka qenë i shtrirë në Klinikën Vaskulare dhe në SP në Pejë në njësitë internistike, neurologjike, koronare, etj”, shkruhet në komunikatë.

“Sipas informatave të KMDLNj-së më datë 1.12.2021 në orën 06:51, në SP në Pejë ka ndërruar jetë i burgosuri S.L. i lindur me 01.11.1950. Ai ishte pranuar në burg më 25.01.2009. Që nga ardhja në burgu ka qenë me sëmundje të shumta. Gjatë tërë kohës, që nga viti 2009, ka qenë i hospitalizuar në Stacionarin e burgut në Dubravë. Që nga pranimi në burg, ka qenë i diagnostikuar me tumor ne kokë, i cili i është hequr gjatë mbajtjes së dënimit, sëmundje të traktit urogjenital, kardiovaskular, neurologjik, etj. Është trajtuar në vazhdimësi në Stacionarin e burgut dhe Spitalin e Pejës dhe QKUK, sipas nevojës”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, bëhet e ditur se i burgosuri kohëve të fundit ka pasur komplikime si pasojë e metastazave tumorale si dhe komplikime të tjera, të cilat ia kanë vështirësuar funksionimin për të cilin është kujdesur stafi mjekësor i stacionarit, në vazhdimësi. Derisa në këtë kohë kanë qenë duke u zhvilluar procedurat për pezullim të dënimit.

KMDLNj thotë se edhe përkundër kërkesës së vazhdueshme të stafit mjekësor për pezullim të dënimit të të burgosurit tashmë të ndjerë dhe falje nga Presidenti, asnjëra nga këto nuk është realizuar.

“Në këtë kohë ka qenë duke u zhvilluar procedurat për pezullim të dënimit, të kërkuar nga stafi mjekësor dhe Drejtori i Burgut të Dubravës. Ka qenë kërkesë e vazhdueshme që të i ndërpritet dinim për shkaqe shëndetësore. Ka pasur kërkesë për falje nga Presidenti, por të gjitha këto nuk janë realizuar. Shërbimi Spitalor i Burgjeve ka bërë përpjekje maksimale për trajtimin shëndetësor të burgosurit, por se shumica e sëmundjeve, përkundër vullnetit dhe angazhimit ka qenë thuaja e pamundur të trajtohet në Stacionarin e Burgut në Dubravë”, thuhet po aty.

Sipas KMDLNj-së, ky nuk është rasti i parë e nuk do të jetë as i fundit që të burgosurit pa asnjë shpresë për shërim mbahen në burg ku edhe vdesin, e që përgjegjësia i adresohet pa të drejtë Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Shërbimit Shëndetësor të Burgjeve. 

Exit mobile version