Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka inkurajuar Ministrinë e Drejtësisë që në kuadër të reformave të premtuara, një vëmendje të veçantë t’ua kushtojë përmirësimit të kushteve për personat e privuar nga liria dhe stafit korrektues dhe administrativ, sidomos në fushën e ekzekutimeve të sanksioneve penale përkatësisht zbatimin më efikas të mekanizmave ligjorë që rregullojnë përfitimet e të dënuarve që kanë sjellje të mira.
Sa i përket përfitimeve që kanë sjellë të mira, KMDLNj ka përmendur shtimin e pushimeve të fundjavës në shtëpi, për ata që punojnë rregullisht, shfrytëzimi i pushimit vjetor në përputhje me Ligjin e Punës, lirimi nga PLK duke eliminuar pengesat burokratike, Ligji për Amnisti, Zëvendësimi i burgut me masa alternative të dënimit pas vuajtjes së një pjesë të dënimit për vepra me rrezikshmëri më të ulët, si dhe mundësia që viti i vuajtjes së dënimit të mos llogaritet 12 muaj, por 10 muaj.
“Këto masa dukshëm do të ndihmonin realizimin e suksesshëm të programit të risocializimit, do të motivonin të dënuarit për sjellje të mirë sepse shteti po ofron ofertë konkrete për ata të dënuar që sillen mirë, do ta kursenin buxhetin e Kosovës, si dhe do ta ndihmonin shumë punën e Shërbimit Korrektues të Kosovës”, thuhet mes tjerash në reagimin e KMDLNj.