UBT News

​KMDLNj paralajmëron veteranët e luftës: Mos kaloni nëpër Serbi, mund të arrestoheni

Këshilli për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka paralajmëruar veteranët e luftës që të mos kalojnë nëpër Serbi, pasi që sipas tyre ata mund të arrestohen.

KMDLNj thotë se jo në pak raste janë arrestuar shqiptarë që kanë kaluar nëpër Serbi.

“Një numër të tyre i ka mbajtur për muaj të tërë në paraburgim, kurse disa i mbajnë edhe sot me akuza të sajuara se kanë bërë krime lufte në Kosovë ndaj serbëve dhe komunitetit tjetër joshqiptar. Për shkak të marrëdhënieve të pavendosura midis shteteve dhe për shkak se zyra ndërlidhëse nuk ka pasur qasje në këto raste, të arrestuarit nga Kosova kanë mbetur nën mëshirën e avokatëve që iu kanë marrë shuma të mëdha parash. Republika e Kosovës, për shkak të rrethanave aktuale nuk ka mundur t’iu dalë në ndihmë të arrestuarve, ndërsa ndërkombëtarët kanë mbajtur një qëndrim neutral ndaj shqiptarëve të arrestuar, kurse zëshëm kanë reaguar për serbët e arrestuar në Kosovë të akuzuar për krime lufte. Shqiptarëve të arrestuar në Serbi nuk mund t’iu garantohet gjykimi i drejtë, i paanshëm dhe i pandikuar politikisht dhe rrjedhimisht as mbrojtje efektive juridike”, thuhet në komunikatën për media nga KMDLNj.

KMDLNj edhe më parë ka bërë thirrje publike që të gjithë ata që në një mënyrë apo tjetër kanë qenë pjesë e UÇK-së, të mos kalojnë nëpër Serbi sepse mund të arrestohen.

Tutje KMDLNj thotë se ka informata se Serbia e ka komplet listën e veteranëve të luftës së UÇK-së në mënyrë që nëse iu ofrohet mundësia t’i arrestojnë dhe t’i detyrojnë të japin dëshmi të rrejshme.

Exit mobile version