Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar pas publikimit të lajmit se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk i ka treguar gjykatës dhe mbrojtjes dokumente që mund të ishin shfajësuese. Sipas KMDLNJ-së, karshi kësaj deklarate të avokatit të ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory W.Kehoe, është dashur të reagojnë edhe institucionet e Kosovës.
KMDLNj në një komunikatë për media thekson se është interesant fakti se ndaj këtij veprimi të ZPS dhe DHS, të cilin Këshilli e konsideron diskriminues, nuk pati asnjë reagim instiucional nga Kosova e as nga shoqëria civile që, në një mënyrë apo tjetër monitorojnë punën e këtyre institucioneve që deklarativisht janë pjesë e sistemit të Drejtësisë së Kosovës kurse faktikisht nuk i japin asnjë llogari institucioneve të Kosovës.
“Për KMDLNj është e papranueshme ndërhyrja në pavarësinë e punës së gjykatave dhe, në këtë kontekst edhe në punën e Dhomave të Specializuara mirëpo heshtja ndaj këtij diskriminimi, në fakt është legalizim i standardeve të dyfishta. Për ilustrim, në Kosovë ka pasur raste kur prokurorë dhe gjykatës të dyshuar për fshehje apo asgjësim të provave, përveç se janë linçuar publiksht, ndaj tyre kanë filluar edhe procedurat gjyqësore duke u thirrur në transparencë dhe llogaridhënie. E pse nuk kërkohet transparencë dhe llogaridhënie edhe nga Dhomat e Specializuara, e cila duke përdorur standardet e dyfishta në mënyrë brutale shkel të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria duke krijuar situata dhe mundësi të pabarabarta për një proces gjyqësor të drejtë, fer dhe të paanshëm”, thuhet në komunikatë.
KMDLNj thotë se kërkesa për respektim të drejtave të njeriut, të personave të privuar nga liria nuk paraqet ndërhyrje në punën e Dhomave të Specializuara por është kërkesë për ruajtje dhe mbrojtje të integritetit të një procesi gjyqësor, i munguar deri më tani.
“Në seancën e fundit mbi ecurinë e çështjes, avokatët mbrojtës të Hashim Thaçit vënë në pah se Prokurori i Specializuar fshehu provat shfajësuese në formë të deklaratave që i kishin dhënë më parë, Dan Reverts , ish-Ambasador i OSBE-së në Kosovë , Bujar Bukoshi ish-kryeminister i Kosovës në mërgim dhe deklaratën e Departamentit të Shtetit e që ishin në favor të të akuzuarve dhe të mbrojtjes. As gjykatësi i procedurës paraprake, Nikollas Giju, nuk reagoi për këtë fshehje të provave shfajësuese ndërsa Prokurori i Specializuar këtë e arsyeton me mbrojtjen e dëshmitarëve e që, në fakt nuk është ndonjë arsyetim i qëndrueshëm”, thuhet në komunikatë.
Sipas KMDLNj-së, po i njëjti Prokuror i Specializuar gjatë kundërshtimit të kërkesës për zëvendësimin e masës së paraburgimit me ndonjë masë më të butë, përveç arsyetimeve të zakonshme dhe të përgjithshme , për ta përforcuar kundërshtimin thirret në intervista të personave të ndryshëm që i kanë dhënë mediave në Kosovë apo rastet e përveçme të tyre e që nuk kanë të bëjnë fare , as me Prokurorinë e Specialuzuar e as me proceset gjyqësore para Dhomave të Specializuara.
“Paradoksalisht këto ‘fakte’ të Prokurorit të Specializuar i merr si të mirëqena dhe të vërteta edhe gjykatësi i procedurës paraprake, prandaj deri më tani të gjitha kërkesat e avokatëve mbrojtës dhe të gjitha garancitë e ofruara për zëvendësim të këtyre masave janë refuzuar nga gjykata duke u mbështetur edhe në dëshmitë e Prokurorit të Specializuar”, thuhet po aty.
Sipas KMDLNj-së, është interesant fakti se ndaj këtij veprimi, të cilin e konsideron diskriminues, të ZPS dhe DHS nuk pati asnjë reagim instiucional nga Kosova e as nga shoqëria civile që , në një mënyrë apo tjetër monitorojnë punën e këtyre institucioneve që deklarativisht janë pjesë e sistemit të Drejtësisë së Kosovës kurse faktikisht nuk i japin asnjë llogari institucioneve të Kosovës.