UBT News

​KMDLNj: Hysni Gucati nesër i nënshtrohet operacionit

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), ka bërë të ditur se ish-kryetari i OVL e UÇK-së, Hysni Gucati do t’i nënshtrohet nesër një operacioni.

Në një komunikatë për media KMDLNj ka shprehur shqetësimin e vet për të drejtat e të paraburgosurve, shqiptarë të Kosovës.

Sipas KMDLNJ-së, të drejtat e shtetasve të Kosovës nuk monitorohen në mënyrë efektive prandaj edhe është shtyrë operacioni.

“Hysni Gucati, i dënuar me 4,5 vjet burg nga Gjykata Speciale në Hagë kishte probleme të theksuara shëndetësore edhe para arrestimit ndêrsa gjatë qëndrimt në paraburgim i ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore dhe për këtë KMDLNj ka reaguar publikisht sikur që e ka përfshirë këtë edhe në raportin për monitorim. Gjykata Speciale, shkaku se operacioni ka qenë i kushtueshëm ka qenë hezituese duke pritur rezultatin e gjykimit. Pasi Hysni Gucati u dënua thuaja me dënim që kishte kërkuar Prokurori i Specializuar dhe pasi i ishin refuzuar të gjitha kërkesat për lirim nga paraburgimi në mënyrë që të trajtohet jashtë Burgut të Hagës, para një kohe ishte marrë vendim të operohet, pa e caktuar kohën e saktë. KMDLNj është i shqetësuar që të drejtat e të paraburgosurve, shtetas të Kosovës, të gjithë shqiptarë nuk monitorohen në mënyrë efektive prandaj edhe është shtyrë operacioni. Të paraburgosurve në Gjykatën Speciale nuk ka kush t’ua mbrojë të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria kurse institucionet e Kosovës, as nuk kanë ndonjë mundësi e as nuk kanë interesim”, thuhet në komunikatë.

KMDLNj ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të diskutojnë, për të drejtat e të paraburgosurve, shtetas të Kosovës, nga aspekti i të drejtave të njeriut duke kërkuar transparencë më të madhe nga kjo Gjykatë Speciale. 

Exit mobile version