UBT News

​Klinaku: Specialja po krijon përçarje dhe po rrezikon dëshmitarët

Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë po konsideron skandal të radhës veprimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), e cila ka publikuar një dokument të aktakuzës në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ndaj të cilëve pretendohet se kanë kryer krime lufte.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku këtë veprim të ZPS-së në Hagë e vlerësoi si poshtërsi të radhës, e cila siç tha ai, krijon përçarje mes popullit shqiptar dhe rrezikon dëshmitarët.

“Publikimi i emrave të viktimave që kinse i kanë bërë krerët e UÇK-së skandal tjetër dhe poshtërsi e kësaj gjykate, përkatësisht Zyrës së Prokurorit të Specializuar, sepse me këtë gjë ata përveç që krijojnë përçarje në popullin shqiptar rrezikojnë edhe dëshmitarët, sepse çdo viktimë parashihet që ta ketë dikë dëshmitarë dhe për herë të dytë, tash edhe më seriozisht i rrezikojnë dëshmitarët, sepse herën e parë i kanë rrezikuar këta kur u kanë dalë si skandale dosjet e tyre nga zyrat e tyre në Hagë dhe në vend që të shkojnë në burg këta vetë nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar që iu kanë rrjedh dosjet nga zyra i mbajnë peng qe dy vite e gjysmë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn për fajin e tyre”, u shpreh Klinaku.

Klinaku kërkoi që Kuvendi i Kosovës si themelues i Gjykatës Speciale të mos hesht karshi këtij veprimi të Gjykatës Speciale në Hagë.

“Kuvendi i Kosovës si themelues i kësaj gjykate nuk do të duhej të heshte, por do të duhej të ndërmerrte të gjitha masat që kjo gjykatë të mos vazhdojë kështu, sepse përveç që po krijon përçarje në popull natyrisht që është duke bërë vazhdimisht shkelje edhe të Kushtetutës edhe të ligjeve të Kosovës”, tha ai.

Dhomat e Specializuara sot kanë publikuar një dokument me emra të viktimave që pretendohet se janë vrarë e zhdukur.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020, ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm. Ata po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Thaçit dhe të tjerëve, ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetisht.

Exit mobile version