Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i ka kthyer përgjigje kryeministrit Albin Kurti, i cili pati propozuar hartimin e një ligji të ri që e nis një proces të vlerësimit dhe verifikimit të të gjithë pjesëmarrësve të luftës çlirimtare.
Në përgjigjen e OVL e UÇK-së thuhet se ky propozim i kreut të ekzekutivit është ndërhyrje në procesin gjyqësor.
U.D., i kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku, ka publikuar letrat e këmbyera me kryeministrin Albin Kurti, për çështjen e veteranëve, të cilët protestuan dy herë që të përfshihen në projektligjin për pagën minimale. Në letrën e publikuar nga Klinaku, kryeministri Kurti ka kërkuar hartimin e një ligji të ri i cili nis një proces vlerësimi e verifikimi për të gjithë pjesëmarrësit e luftës çlirimtare.
“Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së nuk kanë qenë dhe nuk janë kompetente për vlerësim e verifikim, por janë të hapura për bashkëpunim. Neve na intereson që veteranët e luftës së UÇK-së të trajtohen dinjitetshëm, dhe do të ishte mirë që të hiqet neni që ua ndalon punësimin atyre”, thuhet në letrën e OVL e UÇK-së, dërguar Kurtit.
Letra është publikuar në Facebook nga kryetari i Organizatës së Veteranëve, Faton Klinaku.