Kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq është suspenduar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës pasi që mori pjesë në një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, që u mbajt në Beograd më 22 mars.
KGjK thotë se vendimi është marrë pa asnjë ndikim politik, për çka ka bërë edhe thirrje institucioneve dhe zyrtarëve publik të institucioneve që të përmbahen nga deklaratat për vendimet e KGjK-së.
“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), njofton opinionit publikë, se në mbledhjen e 281-të ka vendosur për suspendimin e Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, nga pozita e saj si kryetare. Ky Vendim është marrë sipas kërkesës së Autoritetit Kompetent për Kryetar të Gjykatave, në përputhje me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Ligjin për Gjykatat, Ligjin për KGJK, Kodin e Etikës dhe Rregulloren për Procedurën Disiplinore të Gjyqtarëve. Me këtë rast, KGJK thekson se, Vendimi për suspendimin e Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, është marrë në kuadër të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore që ka KGJK-ja, dhe nuk paragjykon përfundimin e procedurës në raport me gjyqtaren, znj.Stevanović. Vendimi në fjalë është marrë pa asnjë ndikim politik, prandaj me këtë rast, KGJK u bënë thirrje institucioneve dhe zyrtarëve publik të institucioneve tjera të përmbahen nga deklaratat për vendimet e KGJK-së, pasi çfarëdo deklarimi publik nuk i kontribuon pavarësisë së gjyqësorit, si pushtet i pavarur”, thuhet në komunikatën e KGjK-së.
E presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të enjten ka deklaruar se kryetarja e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Lilana Stevanoviq, është suspenduar me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Shkak i këtij suspendimi sot në veri të vendit do të protestohet.