UBT News

​KFOR-i italian i dhuron MSh-së një automjet mjekësor

Ministria e Shëndetësisë (MSh) ka pranuar një automjet mjekësor, donacion nga forcat italiane në kuadër të forcës paqeruajtëse në Kosovë, KFOR.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi derisa ka falënderuar shtetin italian për mbështetje, u shpreh se ky automjet që nga sot po i dhurohet MSh-së ka qenë shumë i nevojshëm për modernizimin e shërbimeve të urgjencës në Kosovë.

“Jemi shumë të kënaqur dhe shumë të lumtur që kemi marrë një automjet mjekësor shumë të nevojshëm që do ta përdorim për rastet emergjente. Dhe kjo do të modernizojë më shumë automjetet mjekësore tona të Shërbimeve të Urgjencës”, theksoi ministri i Shëndetësisë.

Latifi foli edhe për bashkëpunimin që ministria e Shëndetësisë ka me Ambasadën e Italisë në projektin për trajnimin e kardiokirurgëve pedriatrik kosovar për të kryer operacione në zemër.

“Kemi punuar krahas KFOR-it, me Italinë dhe në përgjithësi me ambasadën e Italisë, dhe jemi në proces të finalizimit të detajeve për trajnimin e kardiokirurgëve tanë në kardiokirurgjinë pediatrike, kështu që ne kemi kirurgët tanë, mjekët, infermierët dhe anesteziologët tanë të cilët kujdesen për më të vegjlit tanë që kanë nevojë për operacion në zemër”, u shpreh Latifi.

Zëvendëskomandanti i KFOR-it italian, Luigi Piperni u shpreh se donacioni i sotëm është shenjë e një investimi të konsiderueshëm në të gjithë sistemin shëndetësor në Kosovë. Sipas tij, ky automjet do ta bëjë shërbimin aktual të emergjencave mjekësore edhe më efikas.

“Jemi mbledhur me rastin e përfundimit të një projekti të realizuar nga njësia e specializuar shumëkombëshe, karabinierët tanë, si pjesë e një plani ekzekutiv 2021, të komandës operacionale të përbashkët italiane. Ky plan synon të krijojë një sistem më të përshtatshëm të reagimit me personel mjekësor, ashtu siç kryhet në Itali nga shërbimi ynë kombëtar i urgjencës. Në fund të bashkëpunimit tonë intensiv me institucionet e Kosovës, donacioni i sotëm është shenjë e një investimi të konsiderueshëm në të gjithë sistemin shëndetësor në Kosovë, dhe ky automjet do ta bëjë shërbimin aktual të Emergjencave Mjekësore edhe më efikas, duke përforcuar automjetet mjekësore ekzistuese të Ministrisë së Shëndetësisë, dhe do të përmirësojë aftësitë e reagimit ndaj emergjencave, si nga pikëpamja funksionale ashtu edhe nga pikëpamja teknologjike me qëllimin përfundimtar për të ofruar një përfitim për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, theksoi komandanti i KFOR-it italian. 

Exit mobile version