Raporti gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për situatën në Kosovë do të diskutohet në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të planifikuar për sot (e martë).
Prezente në këtë seancë do të jetë ministrja e Punëve të Jashtme te Kosovës, Donika Gërvalla, e cila do të paraqesë të arriturat e Republikës së Kosovës, sfidat me të cilat përballet, sukseset në fushën e ekonomisë dhe sundimit të ligjit, reformat në fusha të ndryshme si dhe perspektivën e vendit.
Po ashtu, në këtë seancë do të jetë edhe përfaqësuesja speciale e Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) dhe shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh.
Në raport përmendet retorika e ashpërsuar mes Beogradit dhe Prishtinës dhe përshkallëzimi i tensioneve në terren, duke aluduar natën e 31 korrikut, si arsye për mungesë të progresit në normalizimin e marrëdhënieve në periudhën nga 16 marsi deri më 15 shtator 2022.
Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbahet duke filluar nga ora 15:00 (21:00 sipas orës lokale në Kosovë).