Këshilli i Prindërve të Kosovës ka reaguar për mospagesën e mësimdhënësve për muajin shtator për shkak të grevës. Ky këshill thotë se pa u paguar mësimdhënësit s’ka kuptim as kompensimi i orëve.
“Për habinë më të madhe as punëtorët teknikë, menaxhmentet e shkollave, mësimdhënëset lehona apo mësimdhënësit që kanë mbajtur mësim nuk janë paguar. Pra një seri gabimesh, me pasoja juridike, në këtë vendim”, theksohet në reagim.
Këshilli i prindërve po ashtu thekson se pa pagesën e mësimdhënësve nuk ka kuptim as kalendari i ri shkollor.
“Për shumicën e prindërve të Kosovës, mosdhënia e pagave nga Qeveria e Kosovës vetëm mësimdhënësve grevistë (ndërsa të punësuarit grevist në sektorët e tjerë janë paguar) është vendim i kontestueshëm ligjërisht, i padrejtë dhe i dëmshëm në shumë dimensione. As kushtëzimi apo riemërtimi i dhënies së pagës nuk është aspak më i mirë, përkundrazi. Për habinë më të madhe as punëtorët teknikë, menaxhmentet e shkollave, mësimdhënëset lehona apo mësimdhënësit që kanë mbajtur mësim nuk janë paguar. Pra një seri gabimesh, me pasoja juridike, në këtë vendim. Ndërsa greva ishte akt krejt i paarsyeshëm i SBASHK (dhe në momentin më të keq të mundshëm), mospagesa e mësimdhënësve (së paku jo në afatin ligjor dhe më dëmet juridike të shumëfishta tashmë të realizuara) është përgjigjja institucionale më e padëshiruar edhe nga prindërit. Pasojat e mospagesës së mësimdhënësve do të reflektohen në fund tek pamundësimi i krijimit të kushteve normale për mësimdhënie, denigrimit të rëndë institucional shtetëror ndaj (vetëm) një kategorie të punësuarish, humbjes së besimit dhe shpresës për shtet të së drejtës por edhe shtyrjen e diskutimit për temën e cilësisë në arsim. Prindërit janë të stërlodhur me gjendjen e pashpresë të përmirësimit në sistemin arsimor publik në Kosovë dhe presin normalitet, zhvillim, siguri, llogaridhënie e cilësi në arsim. Asnjëra nga këto vazhdon të mos duket askund në horizont. Pa pagesën e mësimdhënësve nuk ka kuptim as kalendari i ri shkollor (edhe ashtu i përpiluar pa asnjë konsultim me këshillin e prindërve) e aq më pak kompensimi i orëve të humbura nga greva. Solidariteti ynë me mësimdhënësit për pagat është i plotë dhe i pakushtëzuar”, thuhet në reagim.