Këshilli i Evropës ka mbështetur idenë e një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë si përpjekje e radhës për të ulur tensionet mes dy vendeve. Kjo ide ishte shpalosur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në ditën kur ishin liruar tre policët kosovarë të rrëmbyer nga Serbia.
Kreu i Këshillit të Evropës, Charles Michel, shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se muajt e fundit ka pasur vështirësi që sollën përshkallëzim të situatës në terren.
Michel tha se ka ardhur koha për të bërë hapa të qartë në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovës dhe Serbisë dhe se kjo është shumë e rëndësishme për vet Bashkimin Evropian.
“Dua të jem shumë i qartë, ne mbështesim plotësisht të gjitha përpjekjet e bëra së bashku me këtë bashkëpunim të mirë me NATO-n, nga Përfaqësuesi i Lartë Borrel, dhe dua të them se mbështesim edhe idenë që sa më shpejt të jetë e mundur të organizohet një konferencë me disa shtete anëtare të BE-së, për të mbështetur të gjitha përpjekjet ndërmjetësuese në marrëdhënie të ngushta me Shtetet e Bashkuara, sepse mendojmë se muajt e fundit kemi parë disa vështirësi që janë bërë arsye përshkallëzimi dhe mendoj se është koha për të pasur një qasje globale”, tha Michel.
Ndërsa sekretari gjeneral i NATO-s, Stoltenberg deklaroi se situata në Kosovë dëshmon edhe rëndësinë e bashkëpunimit mes institucionit që përfaqëson dhe Bashkimit Evropian.
“NATO mbështet fuqishëm përpjekjet e Bashkimit Evropian, përpjekjet diplomatike, dialogun e lehtësuar nga BE-ja me praninë tonë ushtarake në terren. Ne kemi shtuar praninë tonë në terren dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve për depërshkallëzim, të përmbahen nga çdo veprim që mund të rrisë më tej tensionet dhe të angazhohen në mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga BE”, deklaroi Stoltenberg.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë qëndrimit në Bruksel të hënën foli për “domosdoshmërinë e një konference pa afat kohor, ku të mbyllur brenda mureve të një strukture mikpritëse nën kujdesin e bashkësisë euroatlantike, liderët e Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllin krejt pikat e marrëveshjes së normalizimit”.