UBT News

​Kërkohet zgjatja e afatit të Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të viktimave të dhunës seksuale, qeveria nuk përgjigjet

Në fund të prillit përfundon mandati i Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të Viktimave të dhunës seksuale. Gratë dhe burrat nga Kosova që janë dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë, kanë mundësi për të aplikuar pranë këtij komisioni deri në shkurt të vitit të ardhshëm. Katër organizatat e licencuara po kërkojnë nga kryeministri që të zgjatet mandati i këtij komisioni të paktën për pesë vjet, në mënyrë që mos të krijohet vakuum ligjor për shqyrtimin e rasteve që kërkojnë njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale.

E lidhur me këtë, që nga dita e djeshme, KosovaPress ka tentuar që të marrë një përgjigje nga qeveria në rast se do të zgjatet ky mandat, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Udhëheqësja e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti thotë për KosovaPress se në rajon mekanizma të tillë nuk kanë afat kohor.


“Kemi kërkuar që t’i zgjatet mandati Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të viktimave të dhunës seksuale nga kryeministri për faktin që ky mandat skadon me 28 prill të këtij viti. Për të mos u krijuar një vakuum ligjor ose në pamundësi që anëtarët që janë pjesë e këtij komisioni që të mos kenë mandat për të nënshkruar vendime dhe për t’i shqyrtuar lëndët, ne kemi krijuar në mënyrë urgjente, pasi që edhe prilli po ofrohet që të merren hapa konkret që Qeveria të zgjat mandatin e komisionit qeveritar të paktën në afat pesëvjeçar. Në mënyrë që të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës të cilët janë të gatshëm që të aplikojnë për tu njohur statusi i tyre”, deklaron Rushiti për KosovaPress.

Deri në muajin shkurt kanë aplikuar mbi 1600 gra e burra, ku kanë deponuar historitë e tyre të para më shumë se 23 vitesh.

Drejtoresha Feride Rushiti shprehet se krimet e luftës nuk parashkruhen e as afatizohen.

“Krimet e luftës nuk parashkruhen e as afatizohen dhe e drejta në krime të luftës, siç janë viktimat e dhunës seksuale nuk do të duhej të ishin të afatizuara në një periudhë kohore pesëvjeçare. Ne këtë çështje e kemi adresuar edhe më herët si organizata pranë institucioneve relevante, qoftë në Zyrën e Kryeministrit, qoftë në Komisionin për të Drejtat e Njeriut në parlament, qoftë në mekanizma të tjerë të shtetit. Dhe ka pasur një gatishmëri edhe pse ende konkretisht nuk është bërë asgjë”, shton drejtoresha e QKRMT-së.

Për viktimat e dhunës seksuale të cilët po jetojnë me plagët e luftës, Rushiti thotë se po tentojnë të krijojnë mundësi që të fitojnë të drejtën për benefite pa afat të caktuar.

“Në qoftë se nuk zgjatet mandati para kësaj periudhe kohore, realisht anëtarët e komisionit nuk kanë mandat për të shqyrtuar lëndët. Nuk kanë mandat për të marrë vendim, për të kërkuar personin ose të mbijetuarin për të ardhur në intervistë. Thjesht bie mandati i komisionit, kështu që kjo do të krijonte një vakuum ligjor edhe një amulli tek të mbijetuarat. Edhe kjo pritje që edhe tashmë është e stërzgjatur edhe më shumë do ta rriste”, thekson ajo.

Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar është përcaktuar me vendim të qeverisë me 28 prill të vitit 2017 dhe skadon këtë vit. Ndërkaq, ky komision ka filluar punën zyrtarisht në shkurt të vitit 2018.

Organizatat Anëtare të Platformës Bëhu Zëri Im janë Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës; QPDG – Qendra për Promovimin e Drejtave të Grave; Medica Gjakova dhe Medica Kosova. 

Exit mobile version