Tash e më shumë se dy dekada, po kërkohet zbardhja e fatit edhe për 64 krushjanë. Në mesin e tyre, nga maji i vitit ’99, kërkohet drejtësi edhe për veprimtarin shqiptar Ukshin Hoti. Për këtë të fundit të enjten e kaluar është shënuar 78-vjetori i lindjes. Përfaqësues të fshatit po kërkojnë nga institucionet që të jenë më këmbëngulës në zbardhjen e fatit të tij dhe të më shumë se 1600 personave të tjerë.
Kryetari i fshatit Krushë e Madhe, Selami Hoti nuk është i kënaqur me atë se çfarë është bërë deri më tani nga institucionet. Ai për KosovaPress thotë se procesi i zbardhjes së fatit të të pagjeturve është i dhimbshëm dhe po mban në ankth familjarët.
“Ne nuk mund të themi që nuk është bërë asgjë, sepse fillimisht kanë qenë mbi 6000 të zhdukur, ndërsa tani janë 1600 e sa. Mirëpo, është një proces i cili duhet të kryhet sa më shpejt. Është një proces i dhimbshëm, është një proces i cili mban në ankth familjarët dhe për atë arsyeje ne mendojmë që duhet sa më shpejt të bëhet trysni më e madhe”, deklaron ai.
Meqë javën e kaluar ka vijuar dialogu, Hoti kërkon nga qeveria që të bëjnë trysni edhe ndaj faktorit ndërkombëtar në bisedimet me Serbinë.
“Ne si fshat, por edhe si familjarë, por edhe të gjithë bashkë, kërkojmë që të dihet fati i tij (Ukshin Hotit), por gjithashtu të dihet edhe fati i qytetarëve të tjerë të Krushës. Një plagë e cila akoma lëngon, kullon, akoma na mundon të gjithë neve. Thirrja është e njëjtë ndaj të gjitha institucioneve që të bëjnë më tepër. Të jenë më imponues ndaj politikave të tyre dhe karshi faktorit ndërkombëtar në bisedimet me Serbinë, që të dihet e vërteta dhe të bëhet trysni edhe më e madhe. Të fillohet në mënyrë institucionale mbledhja e artefakteve sikur këtu sot që janë. Të krijohen edhe muze të tjerë të luftës”, thotë ai për KosovaPress.
Krusha ka mbi 60 të pagjetur, ndërkohë numër i madh është edhe në fshatra të tjera të Rahovecit.
“Krusha ende i ka 64 të pagjetur. Dy janë të zhdukur nga burgu më i sigurt i kohës nga Dubrava dhe Fetahut nga spitali. Pra, kemi të bëjmë me dy raste të veçanta, njëri nga burgu dhe tjetri nga një ndërtesë humane. Ndërsa, këta 62 janë të zhdukur nëpër vende të ndryshme që janë marrë. Pasi që në Krushë në atë kohë kanë qenë dy krematoriume, tetë varreza masive dhe dhjetëra varre individuale. Ndërsa, në fshatra të tjera të Rahovecit bashkë me Krushën janë mbi 110 të zhdukur”, shton ai.
Në 78-vjetorin e lindjes së Ukshin Hotit, janë ekspozuar disa nga veshjet e tij. Të njëjtat janë vendosur në njërën nga dhomat e shtëpisë muze në Krushë të Madhe. Hoti nuk ka varr, meqë nga viti ’99 nuk dihet gjë dhe zhdukja e tij dhe e mijëra të tjera ende mbetet mister.