UBT News

​Kërkohet përfaqësim i grave në dialogun Kosovë-Serbi

Pjesëmarrja e grave në ekipet negociatore me Serbinë dhe përfshirja e grave në proceset vendimmarrëse vazhdon të jetë e ulët në Kosovë. Kështu u tha në lansimin e projektit “Përfshirja e grave në tryezën negociuese në Kosovë” mbështetur nga BE, me ç’rast u theksua nevoja që të ketë më shumë gra të përfshira në dialogun Kosovë-Serbi.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se përkundër që ka rritje të përfaqësimit të grave në qeveri dhe në Kuvend, pjesëmarrja e grave në negociata ka munguar. Ai tha se Kosova numëron dy gra presidente, por që u shpreh se në zgjedhjet e lokale ka pasur një numër të vogël të grave që kanë kandiduar për të udhëhequr me komunat.

“Pjesëmarrja e grave në vijën e parë të negociatave ndërkombëtare gjithashtu është diçka që ka munguar. Me përjashtimin e Edita Tahiri ish-kryenegociatore e dialogut në mes 2011-2016 shumë pak gra kanë marrë pjesë në ekipet negociuese dhe atë për periudha të shkurtra kohore…Po besoj që kjo do të kontribuojë drejtë një botëkuptimi më të mirë të nevojave që Kosova t’i përfshijë gratë në proceset relevante të negocimit. I inkurajoj ata në Kosovë të cilët e kanë fuqinë që të emërojnë gra në pozita vendimmarrëse që ta bëjnë këtë, të përfshijnë gratë në nivel të lartë të negociatave që është e rëndësishme për Kosovën. Duhet të shihet kjo si një mundësi, statistikisht është dëshmuar që proceset e negociatave të cilat përfshijnë gra kanë gjasa më të mëdha që të jenë të zbatueshme ose të qëndrueshme”, tha ai.

Ai tha se si BE do të japin maksimumin që të zbatohen në praktikë rekomandimet e raportit që të ketë më shumë përfaqësim të grave në nivelet vendimmarrëse.

Edhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilia Redzepi, theksoi rëndësinë që gratë të jenë të përfaqësuara në dialogun Kosovë-Serbi.

“Çdo problem mund të zgjidhet rreth tavolinës, për të duhet të bisedohet, të flitet dhe konsiderojë që çdo herë duhet me një popull me të cilin keni qenë i armiqësuar qoftë nëse bëhet fjalë për luftë apo konflikt duhet të flitet, të bisedohet, të negociohet për progres më të mirë të shteteve tona në të ardhmen. Përfaqësojë idenë e jetës së përbashkët të të gjitha komuniteteve pa marrë parasysh përkatësinë nacionale dhe fetare, si dhe të gjuhës që e flasin në Kosovë dhe janë përmendur vlerat e diversitetit dhe kjo është një begati, pasuri që si shtet e posedojmë. Vetëm në këtë frymë duhet të shkojmë përpara dhe vetëm në këtë frymë duhet si qeveri, si sektor civil, si qytetarë të Kosovës, para së gjithash sikur prindër t’i qojmë përpara fëmijët tanë në rrugë drejtë BE-së. Për çfarë arsye nuk ka në një kohë kaq të gjatë gra të përfshira në këtë proces kjo varet nga indikatorët e shumtë”, tha ajo.

Redzepi tha se qeveria në të cilën ajo bënë pjesë i jep hapësirë të madhe përfaqësimit të grave, derisa u shpreh se personalisht përfaqëson qëndrimin që duhet të ketë në ekipin e bisedimeve një grua.

“Qeveria e së cilës unë jam pjesë i jep hapësirë shumë të madhe përfaqësueseve te gjinisë femërore, jo vetëm në shumicën e ministrive por edhe në stafin civil gjatë punësimit, dhe shumë është me rëndësi që kemi përkrahjen e kryeministrit. Unë personalisht përfaqësoj qëndrimin që në këtë qeveri duhet të jetë në ekipin e bisedimeve një grua”, u shpreh ajo.

Raporti është prezantuar nga Jovana Radosavljevic, e cila tha se Kushtetuta e Kosovës e njeh barazinë gjinore si vlerë fundamentale për zhvillimin demokratik të Kosovës dhe për sigurimin e mundësive të barabarta si për gratë dhe burrat, por që sipas saj kjo nuk ka gjetur zbatim në negociatat me Serbinë.

Ajo tha se Kosova në të gjitha negociatat e zhvilluara me Serbinë ka pasur numër minimal të grave pjesë të ekipeve negociatore, ku përmendi vetëm Edita Tahirin dhe Meliza Haradinaj-Stublla.

“Popullata në përgjithësi e ka një mendim negativ për procesin e Brukselit, ata mendojnë që nuk ka transparencë dhe nuk ka pasur kurrfarë përfitimi personale prej këtij procesi. Të gjitha këto procese të negociatave kanë të përbashkët atë që gratë nuk kanë qenë të përfaqësuara në nivel domethënës në tryezë. Në Rambuje ka pasur përfaqësim 16 burra dhe një grua, vetëm z.Tahiri ka qenë aty, përderisa ka qenë ekipi krejt meshkuj në mes 2011-2017 më duket kjo është Meliza Haradinaj ajo që ka qenë pjesëmarrëse. Prezenca e grave në këtë ekip nuk ka qenë e mjaftueshme”, tha ajo.

Raporti “Përfshirja e grave në tryezën negociuese në Kosovë” përfshin konkluzionet dhe diskutimet që janë zhvilluar gjatë muajit gusht në Prishtinë, Prizren, Ferizaj, Graçanicë dhe Mitrovicën Veriore.

Exit mobile version