UBT News

​Kërkohet paraburgim kundër gjashtë të arrestuarve, kultivonin narkotikë

Prokuroria Themelore në Prizren, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prizren, ndaj të pandehurve A.R., M.V., E.M., F.M., A.M., dhe E.D., të cilët me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh nga data 16.02.2022.

Në një komunikatë për medie bëhet e ditur se sipas kërkesës së prokurorisë, nga data e pavërtetuar e deri më datë 16.02.2022, pa autorizim, kanë kultivuar bimën e hashashit, shkurres së kokainës ose bimën e kanabisit.

“Kjo me qëllim të prodhimit të narkotikëve ose substancave psikotropike, në atë mënyrë që në bashkëkryerje me njëri-tjetrin kanë kultivuar bimën narkotike brenda një objekti që ka shërbyer si mulli në fshatin Shirokë – Komuna e Suharekës, dhe atë në katin e 7-të, ashtu që me datë 16.02.2022, rreth orës 14:15 minuta, me rastin e ekzekutimit të urdhër kontrollit, në objektin e cekur është zbuluar vendi ku bëhej kultivimi i bimës narkotike, pajisjet dhe materialet për kultivimin e bimës narkotike si dhe rreth 32 kg, substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, e cila ishte në procesin e tharjes, si dhe 2059 saksi – vazo, që kishin të mbjellura bimë të dyshuara të llojit kanabis sativa, e po ashtu në vendin e ngjarjes janë zënë në flagrancë të gjithë të pandehurit”, thuhet në komunikatë.

Me këto veprime, në komunikatë thuhe set të pandehurit kishin për të kryer veprën penale “Kultivimi i bimës se hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” nga neni 272 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Po ashtu, të pandehurit e lartcekur, pa autorizim kanë poseduar me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofrimit për shitje, substancën të dyshuar për narkotik, të llojit marihuanë, të shpallur me ligj si narkotik, të cilat i kanë siguruar nga kultivimi i bimës narkotike, të siguruara në rrethana të përshkruara si më lartë, e të cilën substancë e kanë ofruar për shitje apo shpërndarje personave të tjerë tani për tani të paidentifikuar.

Në këtë mënyrë, të pandehurit kishin për të kryer veprën penale – blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” sipas KPRK. 

Exit mobile version