Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Komisioni i Pavarur i Mediave mbajti një tryezë diskutimi me temën “Mbrojtja e fëmijëve dhe të miturve nga përmbajtjet e papërshtatshme në media”.
KPM kërkoi nga të gjitha personat që hasin në përmbajtje të dëmshme mediale të parashtrojnë ankesë, pasi nga numri i madh i mediave është e pamundur të arrijnë t’i shikojnë të gjitha.
Ndërsa u kërkua edhe futja e lëndës “Edukimi Medial”, si lëndë obligative në shkolla. Po ashtu Këshilli i Prindërve është ankuar për legjislacionin e vjetër, sepse është shumë i tejkaluar dhe është problem me materialin që kalon në media.
Zëvendëskryeshefi ekzekutiv i KPM-së, Faruk Rexhaj tha se në bazë të monitorimeve sa i përket mbrojtjes së fëmijëve dhe të miturve kanë shqiptuar disa gjoba për subjektet transmetuese që kanë pasur shkelje të ligjit.
“Ne në vitin 2021 kemi kryer disa monitorime sa i përket mbrojtjes së fëmijëve dhe të miturve nga ato përmbajtje të dëmshme programore. Kemi nxjerrë disa vendime, disa gjoba kemi shqiptuar për gjithë subjektet transmetuese të cilat janë gjetur shkeljet. Një rëndësi jashtëzakonisht e madhe, i është dhënë edhe në vitin 2022, pothuajse kemi filluar në shumë televizione, me monitorim lidhur me rregulloren për mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve”, theksoi Rexhaj.
Ai shtoi se për shkak të numrit të madh të mediave, shtrirja e KPM-së në të gjitha është e pamundur, tha se është me e lehtë nëse parashtrohen ankesa për përmbajtjet që konsiderohen të dëmshme për publikun.
“Gjithë ata që janë prezentë në media duhet të sjellin më shumë ankesa në Komisionin e Pavarur të Mediave. Kemi shumë përmbajtje të dëmshme në mediat tona, por marrim pak ankesa nga publiku. Ne kemi mbi 200 media dhe shtrirja e KPM-së në të gjitha është pothuajse e pamundur. Neve na ndihmon jashtëzakonisht shumë nëse na parashtrohet një ankesë, ne vijmë më lehtë te eliminimi i përmbajtjeve që konsiderohen të dëmshme për publikun”, tha Rexha.
Këshilltari i ministres së Arsimit, Valdrin Dervishaj tha se nxitja për dhunë, bullizëm, trajtim të padenjë, kanë qenë sfida të vazhdueshme që kërkojnë ndërmarrje të veprimeve të përbashkëta kundër tyre.
“Me zhvillimin e teknologjisë vinë edhe pasojat e shumta të cilat ne tashmë i kemi të njohura si shoqëri, ku fëmijët janë ngacmuar, bullizuar, mandej të nxitur në devijime të ndryshme sociale të cilat si shoqëri duhet t’i luftojmë… MASHT-i në vazhdimësi ka qenë i interesuar të ecën me trendët e zhvillimit teknologjisë dhe këtë e ka arritur duke vendosur edukimin medial në kurrikulën e saj”, tha ai.
Ndërsa Remzie Shahin Hoxha tha se si Departament i gazetarisë ka pasur një bashkëpunim të mirë me të gjitha organizatat dhe KPM-në, ndërsa shtoi se zgjidhja më e mirë do të ishte futja e edukimit medial si lëndë obligative.
“Zgjedhja më e mirë e mundshme do të ishte futja e një lende obligative, d.m.th. futja e edukimit medial si pjesë e kurrikulës shkollore. Ne kemi synuar si departament që ta ngremë zërin për këtë çështje që nga viti 2010. Megjithatë mendoj që zgjedhja ideale do të ishte futja e lëndës së edukimit medial si pjesë obligative, pasi që do të ishim në gjendje t’i mbrojmë të rinjtë nga përmbajtjet e dëmshme”, tha ajo.
Kryetari i Këshillit të Prindërve në Prishtinë, Jeton Demi, shprehu shqetësimin e prindërve mbi përmbajtjen e platformave të ndryshme në internet, e për të cilat tha se janë vështirë për t’u kontrolluar.
“Kemi problem me legjislacionin, është shumë i vjetruar, i tejkaluar, pra më shumë se sa t’i edukojmë fëmijët si t’i qasen mediave dhe si ta trajtojnë një lajm është problem me materialin që kalon në media dhe jo më shumë me televizionin sesa me internetin. Burimi kryesor i informimit të fëmijëve është interneti, YouTube, kanale të shumta, platforma të cilat janë të pakontrolluara dhe mendoj që si përfaqësues i prindërve duhet të ketë shumë më shumë kontroll për përmbajtjen dhe çfarë mund të jepet në shtetin tonë dhe çfarë jo”, tha ai.