Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e Hapur”, i është drejtuar institucioneve të Kosovës, Presidentes, Qeverisë, Kuvendit, deputetëve, si dhe partive politike me një kërkesë që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik përkujtimor i gjenocidit në Kosovë.
Në arsyetimin e kësaj qendre thuhet se në disa vende të botës, së paku prej një shekulli, lulëkuqet kanë shërbyer si simbol për të përkujtuar të rënët gjatë luftërave anekënd globit. Kështu, për shembull, në Britaninë e Madhe dhe në disa vende të Komonuelthit, lulëkuqja, me ngjyrën e saj të gjakut, është simbol i përkujtimit të luftëtarëve të rënë në fushëbeteja, veçanërisht të rënëve gjatë Luftës së Parë Botërore, dhe i solidarizimit me familjet e tyre.
“Edhe kanadezët e kanë përcaktuar këtë lule si simbol të premtimit, që do t’i përkujtojnë dhe që nuk do t’i harrojnë kurrë, ata të cilët u sakrifikuan për lirinë e vendit. Përkujtimi i të rënëve në Kanada bëhet çdo vit në orën 11:00, në ditën e 11-të të muajit të 11-të. Që nga viti 1922, edhe Franca, më 11 nëntor të çdo viti përkujton viktimat e Luftës së Parë Botërore. Francezët kanë zgjedhur lulen e kokoçelit të kaltër, për arsye të ngjyrës së kaltër që kishin uniformat e ushtarëve të vrarë, si simbol nderimi ndaj të gjithë atyre që kishin dhënë jetën për lirinë e Francës. Madje edhe në përkujtim të viktimave të Luftës së Dytë Botërore, që u përcaktua të bëhet çdo vit më datë 8 maj, kokoçeli i kaltër mbeti simboli kombëtar i Francës. Pas konsultimeve të shumta, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – plagë e hapur” mbështeti idenë e Adnan Asllanit, që lulëkuqja të jetë simbol i viktimave të gjenocidit në Kosovë. Në dallim nga lulëkuqet që përdoren si simbol në shumë vende të tjera, katër petalet e lulëkuqes në logon e dizajnuar prej tij paraqesin katër format e akteve gjenocidare, që Serbia zbatoi në Kosovë: 1. vrasjen, 2. dhunën seksuale, 3. spastrimin etnik dhe 4. shkatërrimin e objekteve që lidhen me përkatësinë etnike dhe identitetin shqiptar. Përveç domethënies së veçantë që ka çdo petal i simbolit tonë dhe që e dallon nga forma e petaleve që kanë lulëkuqet-simbol të vendeve të tjera, në simbolin e gjenocidit në Kosovë dallon edhe “zemra e lulëkuqes”: në vend të kokrrave të zeza të farës së lulëkuqes, në logon tonë janë paraqitur figura burrash, grash, djemsh dhe vajzash, për të kujtuar njerëzit e të gjitha moshave dhe gjinive, që ishin viktima të këtij gjenocidi. Petalet e lulëkuqes në këtë logo janë të vendosura në formën e shkronjës X, për arsye se gjatë luftës, në disa vendbanime ku popullsia ishte e përzier në aspektin e përkatësisë etnike, okupatorët serbë kishin shënjuar shtëpitë e shqiptarëve me një X, me qëllim që forcat e armatosura serbe të udhëzoheshin drejt vendeve ku duhej të kryheshin krimet”, thuhet në komunikatë.
Sipas një komunikate të Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”, forma e petaleve dhe figurat e burrave, grave, djemve dhe vajzave simbolizojnë mbi dhjetë mijë civilë shqiptarë të vrarë dhe të gjymtuar, të të gjitha moshave dhe gjinive, mbi njëzet mijë viktima të dhunës seksuale, rreth një milion viktima të spastrimit etnik dhe qindra- mijëra shkatërrimeve që u kryen gjatë zbatimit të gjenocidit në Kosovë.
“Si e tillë, mendojmë se kjo logo meriton të jetë simbol i përbashkët i përkujtimit të viktimave të gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës. Meqë jemi në prag të 15 janarit, ditës së përkujtimit të gjenocidit në Kosovë, përcaktimi nga institucionet tona shtetërore i një simbol unik, që mishëron këtë tragjedi kombëtare, është mënyra më e mirë për të përçuar mesazhin e unitetit përballë krimit të gjenocidit – plagës së hapur në qenien tonë kombëtare”, thuhet tutje në komunikatë.