Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, tha se është e rrallë që një numër kaq i lartë i përfaqësuesve të politikës së jashtme të vendeve të ndryshme kanë bërë thirrje që të mos përsëriten gabimet e së kaluarës në Ballkan.
10 kryetarë të Komisioneve parlamentare për Punë të Jashtme dhe 56 deputetë kanë nënshkruar një letër ku bëhet thirrje Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian si dhe Mbretërisë së Bashkuar të jenë më kritikë ndaj presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, sa i përket tensioneve me Kosovën.
“Është e rrallë që kaq shumë kryetarë të Komisioneve të Punëve të Jashtme të mblidhen për të ngritur shqetësimet dhe për të shprehur një angazhim të përbashkët për de-përshkallëzimin. Ne duam të shohim një rrugë euroatlantike si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën. Me pakicat e respektuara dhe të dëgjuara”, shkroi Kearns në rrjete sociale.
Deputetja britanike u shpreh se “kemi nevojë për diplomaci parandaluese, ku të sigurohemi që të ketë ekuilibër në marrëdhëniet tona dhe të mos përsërisim gabimet e së kaluarës”.
Emri surprizë në këtë letër ishte ai i kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Ukrainas, Oleksandr Merezhko, vendi i cili nuk e njeh Kosovën.
“Gjithashtu, është unike të kesh që një pjesëtar kaq të lartë ukrainas të fletë në mbështetje të Kosovës”, ka thënë Kearns.