Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shpalosur të gjeturat nga analiza e procedurave të prokurimit publik lidhur me shpenzimet publike të realizuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar gjatë periudhës 2020-2022.
Diana Metushi-Krasniqi nga KDI theksoi se ShSKUK kishte mangësi në hartimin e planit të prokurimit dhe nuk është bërë sipas ligjit.
“Sipas të dhënave zyrtare, Kosova kishte shpenzuar rreth 272 milionë euro për nevoja të shëndetësisë. Pacientët në vazhdimësi është dashur të sigurojnë vet barnat për trajtim të COVID-19. ShSKUK kishte mangësi në hartimin e planit te prokurimit dhe përdorimin e njoftimit paraprak. Plani i prokurimit nuk është bërë sipas kërkesave të Ligjit për Prokurim Publik. I gjithë furnizimi me barna kundër covid-19 është grumbulluar në një rresht e ka vlerë prej 20 milionë euro”, tha ajo.
Më tej ka shtuar se pacientët gjatë kohës së pandemisë kanë blerë vet barnat, madje me çmime të larta.
“Për tenderin për furnizim me oksigjen, ShSKUK nuk ka lidhur kontratë me OE që kishte ofertuar 10 centë më lirë se kontrata e cila ishte në zbatim, me arsyen se ka rënë kërkesa. MSh ka lidhur marrëveshje me UNOPS për menaxhimin e projektit 22638 GoK Kosovo Emergency. Nga Unops janë blerë më shtrenjtë produktet se sa nga ShSKUK dhe MSh. MSh ka dështuar të sigurojë me kohë dhe sasi të mjaftueshme remdesivirin. Ndërsa qytetarët janë detyruar të shpenzojnë dhe të blejnë vetë”, ka thënë ajo.
Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi tha se për çmimet abuzive të barnave, kishin dërguar shkresa në polici dhe te Autoriteti për Konkurrencë.
“Sa i përket fryrjes së çmimeve, sekretari i përgjithshëm në startin ka adresuar dy shkresa të policisë dhe kryetarit të autoritetit për konkurrencë. Raportet e Zyrës Kombëtare te Auditimit nuk kanë raportuar pasqyrat financiare, sipas këtij raporti”, ka deklaruar Bardiqi.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj tha se ky raport tregon për mos transparencë dhe keqpërdorime.
“Kemi barna shumë të shtrenjta sesa remdesiviri që janë blerë. Gabimet tjera të cilat janë bërë kanë hyrë në protokoll të trajtimit”, tha ai.
Edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu tha se abuzimet janë të mëdha gjatë kohës së pandemisë.
“Është abuzuar prej dorezave te dezinfektueset e deri te thasët e kufomave. Ky raport argumenton të gjitha ato keqpërdorime. Janë dy marrëveshje me UNOPS, ku qytetarët duhet ta paguajnë UNOPS-in për shërbimet, ne paguajmë një shumë të lartë. Në fillim ka qenë 3,4 për qind e tashmë paguajmë 7,4 për qind për procedurat e prokurimit. Në 63 raste mungon raporti i pranimit të mallit”, ka deklaruar Haxhiu.