UBT News

​Katari nuk planifikon investime të reja në Rusi

Ministri i Punëve të Jashtme i Katarit, Sheiku Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani, tha për CNN se investimet në Rusi aktualisht janë “nën shqyrtim” dhe Katari nuk po mendon të rrisë investimet e tij derisa të ketë një stabilitet politik.

“Për momentin me situatën aktuale nuk po mendojmë për ndonjë investim të ri (në Rusi)”, tha Al-Thani në margjinat e Forumit të Dohas.

Autoriteti i Investimeve të Katarit (QIA) ka investime të konsiderueshme në gjigantin rus të naftës Rosneft, për të cilin Al-Thani tha se ishte një vendim i marrë bazuar në “vlerësimin tregtar dhe është ende në vazhdim”, megjithatë nuk do të rritet për momentin.

Ndërsa qëndrimi i Katarit është kundër çdo akti agresioni ose përdorimit të pushtetit kundër një vendi sovran, Al-Thani thotë se i ka mbajtur të hapura kanalet e tij të komunikimit me të gjitha palët.

Ai tha se flet shpesh me homologët e tij rusë dhe ukrainas për të “ofruar ndihmën ose kontributin për të de-përshkallëzuar situatën dhe për t’i dhënë fund kësaj lufte” dhe ishte në Moskë së fundmi ku u takua me ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov.

“Ne duhet të fokusohemi në një armëpushim, korridore humanitare, sjelljen e ndihmës humanitare në Ukrainë”, tha Al-Thani.

Katari shpesh ka luajtur një rol ndërmjetësues në zbutjen e konflikteve dhe sjelljen e kundërshtarëve në tryezë, veçanërisht midis talebanëve dhe Shteteve të Bashkuara dhe midis Perëndimit dhe Iranit mbi JCPOA. Ministri i Jashtëm tha se beson se kjo politikë është mënyra më e mirë përpara.

Exit mobile version