Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim kancelarin austriak Karl Nehammer. Pas takimit në kryeministrin, Kurti tha se është biseduar “për situatën e re politike dhe nevojën për kujdes të shtuar në ketë pjesë të Evropës, rëndësinë per anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës dhe Bashkim Evropian”.
Kurti tha se nga kancelari austriak ka kërkuar që Austria të shtyjë përpara vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ai shtoi se vizita e kancelarit austriakut vjen në një kohë të tensionuar për botën demokratike.
Shefi i Qeverisë e ka falënderuar atë për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë dhe ndihmën e dhënë për Kosovën gjatë luftës së fundit.
Kancelari austriak, Karl Nehammer tha se Kosova duhet të jetë pjesë e familjes së Bashkimit Evropian.
“Është e rëndësishme që Austria të jetë urë lidhëse e Kosovës me Bashkimin Evropian, do të jetë e rëndësishme që ta përfshijmë edhe Gjermaninë sepse dhe ata janë miq të Kosovës dhe ta përshpejtojmë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Shpresojmë t’ia dalim sepse Ballkani është pikë gjeostrategjike e gjeopolitike e rëndësishme për Austrinë”, ka thënë ai.
Ai tha se Austria është aleat i madh i Kosovës.