Në një bisedë telefonike, presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson konfirmuan gatishmërinë e tyre për të mbështetur Ukrainën në luftën kundër Federatës Ruse “për aq kohë sa të duhet”.
Macron dhe Johnson deklaruan synimin e tyre për të vazhduar bashkëpunimin në ofrimin e ndihmës ushtarake dhe humanitare për Ukrainën.
”Macron dhe Johnson konfirmuan vendosmërinë e tyre për të ofruar ndihmë për Ukrainën sa të jetë e nevojshme dhe për të mbajtur një nivel të lartë koordinimi midis partnerëve për të përmbushur nevojat ushtarake, humanitare dhe ekonomike të popullit ukrainas”, thuhet në deklaratë.
Palët diskutuan edhe për krizën ushqimore të shkaktuar nga agresioni rus kundër Ukrainës.
Macron dhe Johnson përsëritën mbështetjen e tyre për përpjekjet e Evropës për të eksportuar ushqime me transport rrugor dhe lumor si pjesë e të ashtuquajturave “korsi të solidaritetit”./ATSH