Jeffrey Hovenier ka dhënë betimin e tij të martën para nënsekretares së Shtetit për Çështjet Politike, Victoria Nuland si ambasador i ri i ShBA-së në Kosovë.
Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada amerikane në Prishtinë përmes një postimi në Facebook, ku shtohet se mezi presin ardhjen e diplomatit të ri në Kosovë.
Një diplomat i rritur në Bellingham u emërua së fundmi nga administrata e Biden për të shërbyer si ambasador i ShBA-së në Kosovë.
Presidenti Joe Biden emëroi Hovenierin në korrik dhe ai u konfirmua unanimisht nga Senati i ShBA-së më 18 nëntor dhe kjo është hera e parë që Hovenier shërben si ambasador i ShBA-së.
Hovenier kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë së tij në Bellingham dhe shumë nga anëtarët e familjes së tij ende jetojnë në Whatcom County. Hovenier u transferua në Bellingham kur ishte në kopsht fëmijësh, pasi babai i tij mori një punë si profesor në Universitetin e Uashingtonit Perëndimor.
Hovenier ndoqi mësimet në shkollë publike në Bellingham, ku edhe diplomoi në shkollën e mesme në 1983. Hovenier u diplomua në bachelor në Universitetin Brigham Young dhe pastaj përfundoi edhe studimet master në Universitetin e Georgetoën përpara se të fillonte karrierën e tij prej më shumë se tre dekadash si diplomat.
Pjesa më e madhe e karrierës së tij është fokusuar në çështjet e sigurisë në Evropë dhe Euroazi. Përpara se të emërohej në rolin e tij të ri si ambasador, Hovenier shërbeu si zëvendës shef i misionit në Ambasadën e ShBA-së në Ankara, Turqi.
Përveç Kosovës dhe Turqisë, Hovenier ka shërbyer edhe në Gjermani, Kroaci, Greqi, Panama, Paraguaj, Peru, Serbi dhe Mal të Zi. Ai flet gjermanisht, greqisht, kroatisht dhe spanjisht dhe ka marrë çmime të shumta, duke përfshirë disa nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Hovenier luajti një rol në negociatat që përfundimisht çuan në shpalljen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në vitin 2008.