UBT News

​Java e sigurisë në komunitet, Policia e Kosovës fton qytetarët për bashkëpunim

Policia e Kosovës po shpërndan fletushka informuese dhe po kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për të siguruar një ambient të sigurt për të gjithë. Në këtë mënyrë po shënohet Java e sigurisë në komunitet, me moton “Policia Popull dhe Populli Polici”. Përmes këtij aktiviteti po synohet edhe promovimi i partneritetit polici-qytetarë.

Shefja e sektorit për bashkëpunim me forumet e sigurisë, kapitene Begishe Krasniqi thotë se qytetarët mund të kontribuojnë për siguri dhe mirëqenie për të gjithë.

“Në kuadër të këtij partneriteti nëpër zona sektoriale të qyteteve të ndryshme e kemi edhe komunitetet lokale për siguri publike apo forumet e sigurisë që janë deri tani të formuara në nivel vendi. Aktiviteti i sotëm që tregon se ka filluar java e sigurisë në komunitet do të vazhdojë edhe në qytete tjera të Kosovës, që ka qëllim promovimin dhe bashkëpunimin polici-qytetar. Duhet të punojmë në vazhdimësi që të gjithë qytetarët të kenë parasysh, dhe të marrin një pjesë të përgjegjësisë edhe ata për sigurinë në komunitet, sepse jo vetëm policia mundet me zgjidh sigurinë, të gjithë së bashku të kontribojmë për një siguri dhe një mirëqenie… Pra, motoja e këtij aktiviteti është Policia Popull dhe Populli Polici, pra të gjithë bashkë për një siguri dhe një ambient të sigurt”, tha Krasniqi.

Gjatë këtij aktiviteti, pjesëtar të Policisë, po shpërndajnë për qytetarët edhe fletushka vetëdijësuese dhe parandaluese që lidhen me trafikun, dhunën në familje e me fatkeqësitë natyrore.

Aktiviteti që po mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë do të zgjasë deri në orën 15:00.

I njëjti aktivitet gjatë javës do të vazhdojë edhe në qytete tjera të vendit, si në Gjilan, Ferizaj, Prizren, Pejë, Gjakovë e Mitrovicë.

Exit mobile version