Manifestimi tashmë tradicional “Java e Minatorëve” ka filluar sot në Stantërg në shenjë përkujtimi të 34-vjetorit të grevës historike të minatorëve të Trepçës, e cila pati lëkundur themelet e shtetit të atëhershëm të Jugosllavisë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me këtë rast tha se nga një gjigant i fjetur, synojnë që “Trepçën” ta kthejnë në një pasuri minerare.
Të pranishëm në këtë manifestim ishin autoritete të larta shtetërore, komunale, udhëheqës të institucioneve, ish-pjesëmarrës të grevës së lavdishme, minatorë, etj.
Kreu i ekzekutivit Kurti, duke kujtuar ngjarjet e 34 viteve më parë, tha se komuniteti minerar i Mitrovicës me minatorët e Trepçës u kthye nga një grup punëtorësh prej djersës së të cilëve ndërtohej në të gjithë Jugosllavinë, në një kolektiv profesional të organizuar politikisht, nga i cili filloi edhe shpërbërja e Jugosllavisë.
Sipas tij, sfida e të gjithëve për Trepçën dhe posaçërisht e qeverisë, është që nga një gjigant i cili konsiderohet i fjetur, ajo të kthehet në burim pasurish minerare. Ai theksoi se toka dhe nëntoka e Kosovës janë fati i përbashkët i të gjithëve, ndërsa minatorët janë në qendër të kësaj historie, të tashmes dhe të ardhmes së përbashkët.
“Derisa e kujtojmë grevën e vitit 1989 të minatorëve të Trepçës, 34 vjet më pas, duke kujtuar kapacitetet e atëhershme të saj dhe intensitetin e nivelit të punës sot, sfida e të gjithëve për ‘Trepçën’ dhe posaçërisht e qeverisë, është që nga një gjigant i cili konsiderohet i fjetur, ‘Trepça’ të kthehet në një burim pasurish minerare që nga nëntoka ngrit nivelet e të gjitha stadeve të punës të kësaj ndërmarrje përtej çdo kujtese a historie për këtë parajsë nëntokësore. Toka dhe nëntoka jonë janë fati ynë i përbashkët, ndërsa minatorët janë në qendër edhe të historisë tonë, por edhe të së tashmes dhe të ardhmes sonë”, ka thënë Kurti.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, u shpreh të jetë krenare me arritjet e “Trepçës” gjatë dy viteve të fundit. Ajo premtoi mbështetjen e qeverisë për “Trepçën” edhe në të ardhmen, sidomos në modernizimin e teknologjisë.
“Ne gëzohemi dhe jemi krenarë me arritjet e ‘Trepçës’ gjatë këtyre dy viteve të fundit dhe zotohemi se do të vazhdojmë të përkrahim ‘Trepçën’ në mënyrë që teknologjia e saj të modernizohet, performanca e saj të rritet, dhe poashtu mirëqenia e Mitrovicës dhe mbarë Kosovës të rritet”, theksoi Rizvanolli.
Enis Abdurrahmani, kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes “Trepça”, ka potencuar se greva e minatorëve në kontekstin historik mund të cilësohet si rezistencë e dyfishtë, paqësore për të mbrojtur ekzistencën e shqiptarëve, dhe si rezistencë e suprimimit të autonomisë së vendit.
“Në kontekstin historik greva e minatorëve të ‘Trepçës’ mund të cilësohet si rezistencë e dyfishtë, fillimisht si rezistencë aktive paqësore për të mbrojtur ekzistencën e popullit shqiptar në periudhën e okupimit klasik nga Serbia, dhe së dyti si rezistencë e suprimimit arbitrar të autonomisë së Kosovës”, u shpreh Abdurrahmani.
Se greva e greva e minatorëve të “Trepçës” ishte e para që nuk ka përmbajtur kërkesa sociale porse politike, e tha kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza.
“Për mua kjo ngjarje është edhe emocion, sepse si ish punëtor i Kombinatit ‘Trepça’, si ish-pjesëmarrës i grevave të minatorëve, normalisht se është ndjenjë dhe emocion. Ka qenë ndër grevat e para që nuk ka përmbajtur kërkesa sociale, por politike”, tha ai.
Në anën tjetër, Gëzim Kalaja, kryetar i Sindikatës së minatorëve të Shqipërisë, ka deklaruar tre gjëra për të cilat tha se minatorët duhet të angazhohen dhe kërkojnë. Ai përmendi kontratën kolektive, ngritjen e pagave dhe sigurimin, si dhe moshën e pensionit, për të cilat tha se minatorët duhet të luftojnë.
“Do të deklarojë tri gjëra që ju duhet t’i keni: duhet të luftoni për lidhjen e kontratës kolektive që është Kushtetutë për ju, për ngritjen e pagave e sigurimin teknik dhe për moshën e pensionit dhe ngritjen e pagesës së pensionit”, tha ai.
Me rastin e këtij përvjetori, sindikata e punëtorëve të “Trepçës” ka organizuar aktivitete të ndryshme të cilat do të mbahen deri më 28 shkurt.