UBT News

​Jashari: Sot Skenderajt iu hap foleja e shumëpritur e sportit

Është përuruar sot palestra sportive në qytetin e Skenderajt, me ç’rast u tha se tashmë sportistët e kësaj komune do të kenë kushte më të mira për stërvitje e zhvillim të ndeshjeve.

Ndërtimi i kësaj palestre është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ku zëvendësministrja Daulina Osmani tha se tashmë sportistët e kësaj komune do të kenë një objekt modern dhe që i plotëson të gjitha standardet.

“Epokës së gjatë ku skuadrat e ndryshme sportive të Skenderajt janë detyruar të stërviten në kushte të vështira, madje duke u stërvitur edhe në sallat e edukatës fizike nëpër shkolla tashmë i ka ardhur fundi dhe e kanë krijuar këtë hapësirë ku do të kenë mundësinë përveç organizimit të stërvitjeve të mirëpresin edhe ekipe të tjera konkurruese në gara. Qytetarët e Skenderajt, e në veçanti sportistët e këtij qyteti do ta gëzojnë këtë palestër moderne që i përmbush të gjitha kushtet për stërvitje dhe garë”, tha ajo.

Osmani u shpreh se do të vazhdojnë përkrahjen e kësaj komune me projekte të tjera sportive.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari deklaroi se sportistët e kësaj komune do të kenë shtëpinë e tyre për zhvillimin e të gjitha ndeshjeve. Ai premtoi se si komunë do të vazhdojnë të krijojnë kushte më të mira për sportistët.

“Sot Skenderajt iu hap foleja e shumëpritur e sportit, shtëpia e shumë sportistëve të këtij qyteti që na kanë bërë e po na bëjnë për çdo ditë krenar me aktivitetet e tyre sportive. Kjo palestër për fat të keq është nisur bukur shumë vite me herët qysh në vitin 2009 dhe në fillim të mandatit unë jam marrë personalisht me përkushtim pa ndërprerë së bashku me MKRS. Nga sot të gjithë sportdashësit e komunës sonë e kanë një shtëpi të veten dhe uroj që nga kjo sallë të dalin shumë kampionë”, tha ai.

Exit mobile version