UBT News

​Jashari: Lirinë po e gëzojnë edhe ata që nuk dhanë asgjë, po bëhet padrejtësi për udhëheqësit e UÇK-së

Në 23-vjetorin e masakrës së Rezallës u kujtuan 98 martirët e masakruar nga forcat serbe. Me një minutë heshtje filloi manifestimi që u bë për të nderuar të rënët e Rezallës.

Varrezat e masakrat janë dëshmia që Serbia ka kryer gjenocid mbi popullin shqiptarë, kështu u tha nga përfaqësuesit komunal e edhe nga kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari. E që ky i fundit tha se lirinë po e gëzojnë edhe ata të cilët nuk kanë dhënë dhe nuk kanë bërë asgjë për të.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura në fjalën e tij para të pranishmëve tha se masakra e Rezallës është dhembja e malli i pashuar për të dashurit, ku theksoi edhe se është obligim përtej çdo agjende tjetër që të zbardhin fatin e të gjithë personave të zhdukur.

Ai ka bërë thirrje që të jenë të gjithë bashkë derisa të arrihet drejtësia dhe kriminelët të japin llogari për krimet në Rezallë por edhe për masakrat e tjera.

“Masakra e Rezallës është dhembja jonë, është malli i pashuar për më të dashurit tonë. Është faqe e ndritur e historisë më të re të popullit shqiptar. Likoshani e Qiriezi, Prekazi i Adem Jashari, Izbica, Rezalla dhe masakrat tjera janë kujtimi dhe lavdia e luftës heroike të shqiptarëve Kosovës[…]Këto varreza janë dëshmia e përpjekjes së saj për gjenocid mbi popullin shqiptar. E kemi për obligim përtej çdo agjende tjetër që ta zbardhim fatin e gjithë personave tjerë të zhdukur. Më shumë se 100 qytetarë të Skenderajt i kemi të zhdukur dhe më shumë se 1500 në gjithë Kosovën. Fati i tyre ende nuk është zbardhur. Ashtu siç jemi këtu bashkë do të jemi edhe nesër edhe pasnesër dhe çdo ditë tjetër derisa të arrihet drejtësia. E pajtimi nuk mund të arrihet pa drejtësi derisa kriminelët të japin llogari për krimet në Rezallë. Kriminelët kanë emër dhe mbiemër. Përgjegjësia duhet të bie mbi secilin që ka dhënë urdhër[…]sot është fatkeqësi që ata që ishin në mbrojte të vendit të tyre dhe mbrojtje të popullatës civile dhe luftës për liri sot gjenden para drejtësisë e cila në fakt vetëm drejtësi nuk mund të jetë”, tha Nura.

Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së derisa foli për masakrat dhe luftën e dëshmorëve, ka përmendur edhe udhëheqësit e UÇK-së që po gjykohen në Hagë e për të cilët tha se po përballen me aktakuza të rreme.

Ai tha se lirinë po e gëzojnë edhe ata që po e atakojnë luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftëtarët, veteranët e invalidët.

“Obligohemi të gjithë t’i nderojmë, t’i respektojmë dhe krahas nderimit dhe respektimit duhet të vendosim edhe shenjat e kujtesës historike si këto në Rezallë dhe çdo kund ku janë zhvilluar epopetë çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sepse këtë liri po e gëzojnë të gjithë. Po e gëzojnë të gjithë edhe ata të cilët nuk kanë dhënë dhe nuk kanë bërë asgjë për të ardhur deri këtu. Mjerisht edhe ata të cilët po atakojnë luftën e lavdishme të UÇK, po atakojnë luftëtarët, veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve. Gjatë gjithë periudhës pas përfundimit të UÇK kjo kategori e bëri, udhëheqi dhe solli lirinë e atdheut po përballet me padrejtësi”, tha Jashari.

Në fund të fjalimit të tij ai dërgoi dhe një mesazh për vendorët e ndërkombëtaret.

“Nga ky vend u bëjë thirrje vendorëve e ndërkombëtareve nuk ka forcë që mund ta barazojë luftën e lavdishme të UÇK-së me gjithë ato që ka bërë ushtria dhe policia serbe në Kosovë. Andaj ju ftojë që të jemi bashkuar siç ishim në luftë”, theksoi Jashari.

Në manifestim të pranishëm ishin, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, nënkryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku.

Homazhe në këtë 23 vjetor të masakrës për të nderuar 98 martirët e masakruar homazhe kanë bërë edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti, kryetari i Komunës, Fadil Nura, ish-kryetari i komunës ë Skenderajt, Bekim Jashari.

Exit mobile version