Kryetari i Këshillit Grevist të BSPK-së, Rrahman Jasharaj ka shprehur gatishmërinë që të marrë pjesë në takimin mes drejtoreshës së përgjithshme të Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës, Susan Flocken dhe takimit me kryeministrin e vendit, Albin Kurti. Kështu ka deklaruar Jasharaj pas daljes nga mbledhja e Komisionit për Arsim, e cila është përcjellur me shumë debate e tensione.
Jasharaj doli nga salla ku mbahej komisioni, gjatë kohës sa po deklarohej deputeti i shumicës, Dimal Basha.
Jasharaj para mediave ka thënë se nuk dihet ende se kush do të shkojë në takim me drejtoreshën e Sindikatave të Arsimit të Evropës, Susan Flocken.
“Vet fakti që drejtoresha që është njeriu i dytë në Union që përfaqëson 11 milionë anëtarë të sindikatave nga e gjithë bota, vet ardhja e saj është e saktë se do të ketë takim. Cila do të jetë rrjedha dhe përbërja e pjesëmarrësve në takim, besoj që në emër të sindikatave do të jetë zonja Flocken. Besoj shumë se do të jetë edhe kryeministri. Kush do të jetë me drejtoreshën, do të këshillohemi dhe besoj shumë se do të jetë dikush nga SBAShK-u. Do të shohim rrjedhën e këtij takimi dhe pastaj ne me qëllimin më të mirë që të informojmë drejtë e mirë opinionin e kemi ftuar konferencën në orën 19:00, ku mediave do i drejtohemi me zonjën Flocken dhe ajo do të tregojë rrjedhën e takimit me Kurtin”, ka deklaruar ai.
Jasharaj u shpreh se Flocken do të jetë zëri i tyre në takimin, që sic tha ai, shpreson se do të jetë me kryeministrin Albin Kurti. Ai theksoi se është i gatshëm që të marrë pjesë në këtë takim.
“Pasi takimin e ka caktuar Brukseli, gjegjësisht zonja Floken ajo e di më mirë se kë dëshiron ta ketë në takim. Unë jam i gatshëm dhe besoj se si kryetar i Këshillit Grevist të BSPK-së por edhe si kryetar i SBAShK-ut besoj që do të jem. Por nëse ajo e sheh të rrugës që ajo të merr nga sferat, fushat, njerëz profesional. Unë po deklaroj publikisht se ka sfera që unë nuk i njoh dhe nuk hi në to, aspekti i shifrave. Besoj që cili do nga SBAShK që do të shoqërojë sot zonjën Flocken do të shkojë për të dhënë kontribut sepse unë jam kryetar, por ka gjëra dhe sfera që nuk jam shumë i përgatitur dhe mund të gabojë në takim. Pra, do të shkojnë me zonjën Flocken njerëz të përgatitur, të fushave të caktuara”, ka shtuar ai.
Ai ka folur edhe për mbledhjen e sotme të Komisionit për Arsim, ku theksoi se pritjet kanë qenë që sot të ketë diçka pozitive. Po ashtu ka komentuar edhe debatin me deputetin Dimal Basha.
“E kam përcjellur në paraqitjet e tij, janë të vrazhda, fyese dhe ofenduese. Dhe është pikërisht ky që jep vlerësime se a i kemi 67 apo 68 për qind të njerëzve tanë analfabetë. Dhe unë e kam ditur që ai asnjë debat, as një fjalë të hajrit nuk do ta thotë sot. Debati i tij nxiti edhe tensionime. Ne nuk jemi që të tensionohet situata, ne jemi që të kemi njerëz me mesazhe pozitive. Qoftë një hoxhë i mirë, qoftë një prift i mirë, qoftë një aktor profesional, qoftë një njeri që respekton këtë vend që të thotë një mesazh pozitiv dhe në këtë mënyrë do të uleshin tensionet. Jo me debate të tilla dhe me paraqitje të tilla që shihet qartë një urrejtje ndaj njerëzve dhe një vlerësim tejet skandaloz ndaj mësimdhënësve. Nëse ka argumente dhe fakte që i kemi 67 për qind analfabetë nxënës, pse po ngulmojnë që të hapen shkolla të tilla, çfarë na duhen shkolla të tilla? “, ka deklaruar Jasharaj.
Kujtojmë se sot është dita e 28 e grevës së Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.