Pas rreth dy orësh takim në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Këshillit Grevist të BSPK-së, kryesuesi i grevistëve, Rrahman Jasharaj tha se nuk ka pasur asnjë dakordim dhe greva do të vazhdojë.
Ai shtoi se takimi ishte përmbajtjesor por se asgjë nuk ka ndryshuar dhe qëndrojnë mbrapa kërkesave të tyre.
Jasharaj u shpreh se temë e nxehtë ishte pakoja e prezantuar nga qeveria, në të cilën ka këmbëngulur Kurti.
“Anëtarësia do t’i thotë jo pakos. E lutëm shumë kryeministrin ministrin Murati dhe ministren Nagavci të ofrojnë lëvizje të re që ta tejkalojmë këtë situatë. Arsyetimi i tyre është i zakonshëm që kanë dhënë pakon e tyre dhe se dimri do të jetë i vështirë. Kjo ndihmesë nuk po shtohet kanë mbet te pakoja që e kanë ofruar”, tha Jasharaj.
Kreu i SBAShK-ut u shpreh se lajmi i vetëm i mirë është se ka nisur dialogu dhe uroi që Kurti të mos i mbyllë dyert për ta dhe të vazhdojë komunikimi.