UBT News

​Jasharaj i kërkon takim Kurtit për grevën

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj tha se greva po vazhdon edhe sot. Ai në një konferencë për media tha se qeveria në vend të dialogut, po humb kohë e orë duke shëtitur nga një komunë në tjetrën, duke vizituar ndonjë shkollë.

Jasharaj tha se janë në pritje të dialogut dhe se deklaratat e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci janë sa për të krijuar një porosi të gabuar. Derisa shtoi se “ajo tani nuk po ka kohë, pasi po shkon nëpër vizita e shëtitje”.

Ai kërkoi nga Kurti ta ndërrojë qëndrimin ndaj sindikatave dhe të takohet me SBAShK-un.

Nevruz Kaptelli, nga Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë ka vlerësuar ndihmën e Qeverisë së Kosovës ndaj pandemisë, duke thënë se ajo që kanë përfituar në Shqipëri është më e vogël se ajo çfarë ka dhënë Qeveria e Kosovës.

Kaptelli po ashtu e vlerësoi si të drejtë grevën e SBAShK-ut. Edhe ai iu bëri thirrje Kurtit dhe Nagavcit për dialog, pasi sipas tij nuk ka asnjë rrugë tjetër përveç uljes në tavolinën e bisedimeve për të diskutuar kërkesat e sindikatës së Kosovës. Ai tha se një qeveri e përgjegjshme duhet së pari të vlerësojë sindikatën e mësuesve dhe se askush nuk ka drejtë të nënvlerësojë punën e mësueseve.

Gjatë konferencës, Kaptelli tha se nëse qeveria do vërtet që Kosova të zhvillohet ekonomikisht duhet të vlerësojë në maksimum arsimin me buxhet dhe paga të larta.

Exit mobile version