Japonia ka kërkuar që Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) të hetojë vrasjen e civilëve në rajonin e Kievit nga Rusia si një krim të mundshëm lufte, tha kryeministri Fumio Kishida.
“Vrasja e këtyre civilëve të pafajshëm është një krim lufte dhe vendi ynë ka kërkuar që Gjykata Penale Ndërkombëtare ta hetojë këtë. Unë besoj se Rusia duhet të mbahet përgjegjëse”, u tha Kishida gazetarëve.
Të hënën, Kishida shprehu tronditje dhe shqetësim në përgjigje të “mizorive të tmerrshme” të kryera kundër civilëve ukrainas në qytetin Bucha në periferi të Kievit.
Pamjet e trupave të shpërndara nëpër rrugë në Bucha u shfaqën gjatë fundjavës pas tërheqjes së forcave ruse nga zona, duke bërë që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky të bëjë thirrje për t’i dhënë fund “krimeve të luftës” ruse.
Të mërkurën, presidenti i ShBA-ve, Joe Biden deklaroi se “krime të mëdha lufte” po zbuloheshin në Ukrainë, ndërsa forcat ruse po tërhiqen nga zonat përreth Kievit.