UBT News

​Ish-kryetari i Shtërpcës dyshohet se kërkoi para e dhurata në këmbim të lejeve për ndërtime në Brezovicë

Ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikolic po dyshohet të ketë marrë para e dhurata me qëllim që të jap leje ndërtimore të kundërligjshme në Parkun Kombëtar “Sharri”, në zonën e tretë dhe dytë të vikend zonës në Brazovicë.

Sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj ekziston dyshimi se B.N. ka kryer veprën penale “marrje e ryshfetit”, “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “ushtrimi i ndikimit” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndërkohë që prokuroria ka kërkuar një muaj paraburgim për ish-kryetarin por edhe për 9 persona të tjerë të cilët u arrestuan të martën në rastin “Brezovica”.

Tutje në njoftimin e prokurorisë thuhet se më 21 dhjetor në shtëpinë e tij është gjetur armë.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Ferizaj ndaj të pandehurve B.N.,D.R., D.M.,H.B.,S.M.,R.B., R.H.,B.I., S.S., dhe J.K, të cilët me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh. Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehuri B.N., nga viti 2014 deri në Tetor 2018, në Shtërpcë, si person zyrtar – Kryetar i Komunës së Shtërpcës , ka marr para dhe dhurata në mënyrë të drejtpërdrejtë, me qëllim që të veproj në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare për dhënien e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar ‘Sharri’, në zonën e tretë dhe të dytë të vikend zonës në Brezovicë, me këtë do të kryente veprën penale ‘Marrja e ryshfetit’ nga neni 428 par.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). I njëjti sipas Prokurorisë, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, për dhënien e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar ‘Sharri’, në zonën e tretë dhe të dytë të vikend zonës në Brezovicë, me këtë do të kryente veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar’ nga neni 422 par.1 të KPRK-së. Po ashtu, ndaj të pandehurit B.N., ekziston dyshimi i arsyeshëm se ka pranuar dhurata me qëllim të ushtrimit të ndikimit të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtar për dhënien e lejeve ndërtimore në Parkun kombëtar Sharri në zonën e tretë të vikend zonës në Brezovicë, me këtë do të kryente veprën penale ‘Ushtrimi i ndikimit’ nga neni 431 par.1 të KPRK-së”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

Prokuroria tregon çka u gjetë në shtëpinë e ish-kryetarit.

“Ndaj të njëjtit (B.N.), ekziston dyshimi i arsyeshëm se me datë 21 dhjetor 2021 në shtëpinë e tij në Shtërpcë, ka poseduar armën në kundërshtimin me nenin 5 të Ligjit mbi armët numër 05/L-022, në atë mënyrë me rastin e urdhër kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur një pistoletë e tipit Cërvena Zastava, dy karikator dhe 247 fishek të kalibrit 9 mm, dhe një armë shigjetë të cilat janë sekuestruar nga policia, me këtë do të ketë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 të KPRK-ës”, thuhet në komunikatë.

Exit mobile version