UBT News

​Ish-kryebashkiaku i Himarës aksidenton rëndë të miturin në Llogora

Një aksident ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Llogara, ku ish-kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, ka përplasur të miturin Elio Hamiti, 17 vjeç. I mituri i cili po ecte në rrugë në këmbë, ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. 66-vjeçari u shoqërua në Komisariat, për veprime të mëtejshme, ndërsa i mituri është në gjendje të rëndë. Ai ka pësuar “poli traumë” dhe ndodhet në koma të thellë.

“Rreth orës 17:00, në Llogara, pranë fushës së sportit, shtetasi V. B., 66 vjeç, banues në Himarë, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, ka aksidentuar shtetasin E. H., 17 vjeç, këmbësor në rrugë, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Drejtuesi i mjetit, shtetasi V. B, u shoqërua në Komisariat, për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet e mëtejshme për aksidentin”, sipas policisë.

Vasil Bollano është kryetar i Omonoias, Unioni Demokratik i Minoritetit Grek dhe përfaqësues i grekëve që jetojnë në Shqipëri. Omonoia është një organizatë sociale, politike dhe kulturore në Shqipëri që promovon të drejtat e minoritetit grek në jug të vendit

Në 21 prill të vitit 2009 ai u dënua me gjashtë muaj burg dhe 3800 euro gjobë, për heqjen e sinjalistikës rrugore. Bollano kundërshtoi tabelat, të cilat ishin vendosur nga autoritetet kombëtare, sepse ato ishin të shkruara vetëm në gjuhën shqipe dhe jo edhe në greqisht. Bollano apeloi kundër vendimit duke argumentuar se vendosja e sinjalistikës rrugore ishte një çështje e juridiksionit bashkiak, dhe gjykata e Apelit rrëzoi dënimin fillestar.

Në dhjetor të vitit 2009, pas hetimeve në Prokurorinë e Vlorës, ai u padit për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare pas dhënies së lejeve të paligjshme të ndërtimit përgjatë bregdetit jugor shqiptar. Më 24 maj të një viti më pas, një bombë shpërtheu në banesën e Bollanos, duke shkaktuar dëme në shtëpinë e tij dhe makinat e parkuara aty pranë. Më 8 maj 2011 humbi në zgjedhjet vendore nga Jorgo Goro i Partisë Socialiste./Top Channel/

Exit mobile version